Albulena Haxhiu reagon për marrëveshjen Kurti-Abdixhiku për Presidentin: Hap i rëndësishëm për tejkalimin e ngërçit!

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës lidhur me përzgjedhjen e kandidatit për president të Republikës.
Përmes një reagimi publik, Haxhiu e ka cilësuar këtë dakordim si një zhvillim kyç për zhbllokimin e situatës politike dhe kompletimin e funksionalizimit të institucioneve shtetërore.
“E mirëpres marrëveshjen e arritur sot ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidatin për President të Republikës. Dakordimi i sotëm është një hap shumë i rëndësishëm drejt tejkalimit të ngërçit dhe funksionalizimit të plotë të institucioneve. Tani është me rëndësi që ky proces të përmbyllet në Kuvend, me përgjegjësinë që kërkon momenti dhe interesi i Republikës.”, ka shkruar Haxhiu.
Marrëveshja mes dy subjekteve politike vjen pas propozimit zyrtar të bërë nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili bëri të ditur se emri konsensual i propozuar për postin e kreut të shtetit është Bekim Sejdiu. Pasi është arritur ky hap politik, pritet që procesi të kalojë në seancë plenare në Kuvendin e Kosovës për votimin e kandidaturës.