SKANDALOZE/ Muaji i sensibilizimit kundër kancerit të gjirit, por në Spitalin Onkologjik mamografia jashtë funksionit (VIDEO)

Ndërkohë që tetori njihet ndërkombëtarisht si muaji i sensibilizimit kundër kancerit të gjirit, në Spitalin Onkologjik të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, aparatura e mamografisë rezulton të jetë jashtë funksionit.

Pikërisht në një periudhë kur pritet të intensifikohen kontrollet dhe diagnostikimet për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, gratë që paraqiten pranë këtij institucioni përballen me pamundësinë për të kryer një ekzaminim thelbësor për shëndetin e tyre.

Një video e shpërndarë nga gazetari Osman Stafa, sjell një bisedë të shkurtër, por domethënës mes një pacientje dhe një punonjëse të Onkologjikut.

Biseda mes tyre:

Pacientja: Mamografia u rregullua gjë apo akoma?

Doktoresha: Akoma!

Pacientja: Po kur të kaloj?

Doktoresha: Nuk e di, po presim. Nuk kanë ardhur (teknikët).

Pacientja: S’kanë ardhur akoma… Okej, faleminderit!

Përgjigjja e mjekes për “teknikët që nuk kanë ardhur ende” hedh dritë mbi një problem të përhershëm në sistemin shëndetësor publik: mungesën e burimeve teknike dhe vonesat në ofrimin e shërbimeve jetike për pacientët.

Ndërkohë që fushatat për ndërgjegjësim kundër kancerit të gjirit janë gjithnjë e më të pranishme në rrjetet sociale apo në media, në praktikë mungesa e një mamografie funksionale në spitalin më të madh onkologjik në vend është tregues i qartë i hendekut mes propagandës dhe realitetit.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT