Meta: Nuk është koha për mbledhje të ‘Sigurisë’! Duhen fonde, që situata të mos dalë jashtë kontrollit

Presidenti i Republikës Ilir Meta u shpreh se nuk është koha për mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare sikur kërkoi një ditë më parë opozita në kuadër të masave për koronavirusin.
“Nuk është koha për të zhvilluar mbledhje mbi mbledhje” tha ai. Kreu i shtetit u shpreh se në këtë moment duhet fonde që situata të mos dalë jashtë kontrollit. Në fjalën e tij, Presidenti kishte disa këshilla për qytetarët dhe qeverinë.
“I ftoj të gjithë qytetarët që të përballojnë me përgjegjshmëri, qetësi dhe solidaritet këtë situatë. Të respektojnë protokollet dhe këshillat e mjekëve dhe të ndjekin sugjerimet e shtetit. Nuk ka vend për panik por as për nënvlerësimin me të vogël nga të gjitha institucionet dhe në mënyrë të veçantë nga cdo qytetar. Kërkohet përgjegjësi maksimale dhe bashkëpunim, profesionalizëm dhe transparencë. Shëndeti i cdo qytetari është prioritet. Mbështes të gjithë personelin shëndetësor që është para një sfide madhore, mjekët dhe infermierët që do u duhet që vec problemeve të tjera të mëdha të përballen edhe me këtë situatë.
U bëj thirrje institucioneve të marrin masat për sigurimin e mjeteve për qytetarët, trajnimin e personelit, përcaktimin e karantinave, dezinfektimin dhe pajisjet. Si president po e ndjek situatën dhe do të bëjmë cdo gjë për të gjitha mundësitë për të qenë në këto momente pranë cdo qytetari për ta kaluar me pasoja të lehta për të mos lejuar përshkallëzimin. Apeloj për plane të detajuara për cdo strukturë, plan monitorimi në terren të të gjitha strukturave, financim të plotë për materialet mjekësore, jo vetëm mjekësor por edhe forcat e sigurisë për të kaluar këtë pandemi. Duhet një plan i detajuar ekonomik për veprimet mbështetëse për përballimin e ndikimit të pandemisë në ekonomi. Mësimet e nxjerra nga vendet fqinje janë instrumentet e duhura për përballimin e kësaj situate. Nënvlerësimi më i vogël rrezikon jetën. Të gjithë në këto momente duhet të tregojmë përgjegjshmëri dhe bashkëpunim” tha ai.