Qeveria mendon që i mori të gjithë masat, por ka harruar Minierën e Bulqizës

Situata e krijuar në vend si pasojë e përhapjes së Coronavirusit, i njohur ndryshe edhe si “Covid 19” e ka detyruar qeverinë shqiptare të ndërmarrë masa drastike e të jashtëzakonshme, duke e kthyer vendin thuajse në “shtetrrethim”.
Shkollat u mbyllën të parat, pastaj insitucionet publike, pastaj baret e lokalet, dhe pas disa thirrjeve po mbyllen deri në një afat të caktuar edhe fasoneritë që kanë me qindra punonjës.
Teksa u ndalua edhe qarkullimi i makinave private dukej se të gjitha masat e nevojshme u morën.
Mbase nuk i kanë thënë ose mbase nuk e di, ama Kryeministri ka harruar të urdhërojë mbylljen e Minierës së Bulqizës. E për ata që nuk e dinë Miniera e Bulqizës nuk është vetëm “pusi” që ka diku 700 e ca punonjës dhe që i është dhënë me koncension kompanisë “Alb Chrome”.
Punonjësit e pusit janë vetëm një pjesë e konsiderueshme e numrit total për të cilët nuk ka një shifër konkrete. Afër me pusin, por mandej mbi të e shumë mbi të drejt Zonës D ka edhe shumë galeri të tjera, subjekte minerare, që vazhdojnë të punojnë normalisht pa u shqetësuar.
Pra bëhet fjalë edhe për qindra e qindra punëtorë të tjerë që pavarësisht vështirësive të pallogaritshme me të cilat përballen përditë dhe për të cilët nuk flet askush, as sot e as dje për ta nuk është kujtuar askush. Qeveria e insitucionet nuk kanë thënë asgjë për të ndaluar aktivitetin minerar në Bulqizë.
Duhet të ishte vetë qeveria, Inspektoriati i Punës e Ministria e Shëndetësisë që do duhej të kishte urdhëruar sot ndalimin e punës në minierë. Ka plot argumente e arsye që e bëjnë të domosdoshme një gjë të tillë. Në mjetet e transportit, që janë kryesisht fugonë e mikrobuza futen e ‘palosen” me dhjetëra punëtorë.
Fakt ky që bën që punëtorët e minierës të jenë të ekspozuar sot ndaj rrezikut të këtij virusi që është kthyer në një alarm për vendin tonë.
Kushtet e papërshtatshme, uji i ndotur nga gazrat në minierë, papastërtitë e mëdha, qëndrimi në grupe të mëdha i punëtorëve e bëjnë minierën shumë të rrezikshme sot. Madje më të rrezikshme edhe se shumë sektorë të tjerë që janë mbyllur prej ditësh.
Ndaj edhe sot qeveria duhet të marrë masa të menjëhershme e të mbyllë përkohësisht punën në minierë sepse rrezikon realisht të kthehet në një “kërcënim” serioz për shëndetin e qindra minatorëve.