Kuvendi në emergjencë/ S’ka elektronikë, deputetët votojnë në fleta votimi

Seanca plenare e Kuvendit e mbajtur në kushtet e emergjencës ka përfunduar. Mësohet se deputetët që morën pjesë në seancë kanë votuar të gjitha nismat ligjore që ishin parashikuar në rendin e ditës dhe kanë hedhur fletën në kutinë e votimit.
PS-ja ka votuar ndryshimet në Kodin Penal pa marrë parasysh sugjerimet e Presidentit, i cili vetëm në minutat e para të seancës, nisi një letër drejt Kuvendit ku kërkoi që të zbatoheshin të drejtat e njeriut, që fillimisht të bëhj aplikimi me gjobë dhe më pas me heqje lirie, në varësi të dëmit. Gjithashtu mësohet se maxhoranca ka rrëzuar edhe dy dekretet e Metës për Anti-KÇK dhe ligjin e pronave.
Nën masa të rrepta të distancimit social, pasi i janë nështruar matjes së temperaturës dhe vënies së maskave e dorezave, deputetët e Kuvendit janë paraqitur sot pas 1 muaji në seancë plenare. Deputetët nuk janë të ulur në vendet e tyre të zakonshme,dhe kanë ruajtur distancën e nevojshme prej 1.5 m. Seanca e sotme kishte në fokus miratimin e disa ndryshimeve në Kodin Penal, ku parashikohet ndëshkimi me burg për të gjithë ata që shkelin masat e marra për parandalimin e pandemisë.
Me vetëm dy orë në dispozicion, deputetët të pajisur me doreza, maska e dezinfektantë dhe me një distancë prej 1.5 metrash nga njëri tjetri në parlament diskutuan disa çështje.
Pas një muaji që nga shpërthimi i pandemisë në vend, sot është hera e parë që Kuvendi mblidhet nën masa të rrepta. 22 nisma ligjore u diskutuan, që nga ndryshimet në Kodin Penal, aktet normative të Ministrisë së Shëndetësisë për masat ndaj COVID-19, rishikimi i buxhetit të 2020, lirimin e një kategorie të dënuarish, për shtyrjen e pagesës së këstit të tatimit mbi të ardhurat për bizneset, dy dekretet e presidentit Meta për kthim në Kuvend të ligjit për pronat dhe paketën Anti- Shpifje për pjesën që i takon OFL për sekuestrimin e pasurive.
Po ashtu u votua edhe shtyrja e veprimtarisë së komisionit për Reformën Zgjedhore që duhet të kishte përfunduar në 15 mars. Por, ajo që ra në sy ishte se votimi u zhvillua në fletë votimi dhe jo me elektronikë, duke u konsideruar edhe kjo një gjë emergjence.
Deputetët që morën pjesë në seancë kanë votuar të gjitha nismat ligjore që ishin parashikuar në rendin e ditës dhe kanë hedhur fletën në kutinë e votimit. Votimi në këtë seancë të jashtëzakonshme dhe historike për nga lloji i saj është bërë me fletë për shkak të vendosjes së deputetëve dhe në llozhat e sipërme të sallës.