“People Movin”: 164 mijë shqiptarë më shumë sesa Censusi
- Agjencia ndërkombëtare e specializuar për lëvizjet migratore dhe emigratore “Peoplemovin” paraqet të dhëna të tjera për popullsinë e Shqipërisë
Herion Mesi/Ornela Manjani
Rezultatet e regjistrimit të popullsisë më 1 tetor 2011 treguan se popullsia banuese e Shqipërisë ishte 2 821 977 banorë. Por, agjencia ndërkombëtare e specializuar për lëvizjet migratore dhe emigratore të popullsive të vendeve të botës “Peoplemovin” paraqet të dhëna të tjera për popullsinë e Shqipërisë. Kjo pasi statistikat e kësaj agjencie bien ndesh me të dhënat e Censusit për popullsinë që jeton në Shqipëri. Duke krahasuar shifrat e nxjerra nga “People Movin” me ato të Censusit rezulton se INSTAT-i ka llogaritur në matjen e tij 164 mijë persona më pak.
Studimi
“People Movin” thekson se nëpër botë anembanë numërohen rreth 1.4 milionë emigrantë shqiptarë. Sipas kësaj agjencie, popullsia brenda vendit është 2.986.952 banorë, ndërkohë që të dhënat e Censusit flasin për 2.821.977 banorë. Duke u bazuar në këto shifra, me regjistrimin e fundit të popullsisë llogariten 164.000 persona më pak që jetojnë në Shqipëri. Ndërsa, sa i përket numrit të emigrantëve që jetojnë jashtë vendit, Censusi për popullsinë e Shqipërisë nuk dha shifra për këtë. Ndërkohë, në këtë studim, “People Movin” bën një pasqyrim jo vetëm të numrit të shqiptarëve të shpërndarë në të gjithë globin, por shpjegon se cilat janë vendet që mbajnë më shumë qytetarë shqiptarë. Raporti bën të ditur emrat e dy vendeve fqinje që janë më të predispozuara të “goditen” nga emigrantët shqiptarë për shkak të pozicionit gjeografik, Greqia dhe Italia. Në vend të parë qëndron shteti grek me rreth 676 mijë emigrantë, ndërsa në Itali jetojnë 522 mijë qytetarë shqiptarë. Në Greqi shqiptarët përbëjnë pjesën më të madhe të emigrantëve, ndërsa në Itali këtë pozicion e mbajnë rumunët. Ndërsa, shtete të tjera në të cilat ekzistojnë pakica shqiptare janë: Maqedonia me 91 mijë të tillë, SHBA-të me 83 mijë.Gjermania me 15.9 mijë, Kanadaja me 11.9 mijë, Turqia me 3 mijë, Franca po me 3 mijë dhe Australia me 2628. Vetë Shqipëria ka pritur 89 106 shtetas të huaj. Greqia renditet e para në listën e vendeve pritëse, ndërsa Australia e fundit me më pak emigrantë shqiptarë.
Agjencia “Peoplemovin”
“People Movin” kryen studimet demografike, ekonomike dhe gjeografike e vendeve të tjera dhe forcon zhvillimin statistikore rreth botës me anë të asistencës teknike, trajnimit, dhe produkteve software. Për mbi 60 vjet, Byroja e Regjistrimit ka kryer punën analitike ndërkombëtare dhe ka ndihmuar në grumbullimin, përpunimin, analizën, shpërndarjen dhe përdorimin e statistikave me qeveritë homologe në mbi 100 vende. “People Movin” tregon flukset e emigrantëve, nëpërmjet përdorimit të dhënave të hapura. Të dhënat janë paraqitur me anë të vijëzimeve në të cilat tregohen lidhjet midis vendeve. Tabela është e ndarë në dy kolona, vendet emigracionit në të majtë dhe vendet e destinacionit në të djathtë. Trashësia e vijave lidh vendet përfaqëson sasinë e njerëzve emigruar.
Rezultatet e Censusit, INSTAT-i: Ra numri i popullsisë
Rezultatet e regjistrimit të popullsisë më 1 tetor 2011 treguan se popullsia banuese e Shqipërisë ishte 2 821 977 banorë. Sipas INSTAT-it, vihet re një rënie në numrin e popullsisë afërsisht prej 8,0% në krahasim me Censusin e vitit 2001, ku popullsia e numëruar ishte 3 069 275 banorë dhe dinamikat e popullsisë përcaktohen nga katër faktorë: lindjet, vdekjet, imigracioni dhe emigracioni. INSTAT-i në raportin përfundimtar bën të ditur se gjatë periudhës midis dy censuseve (2001-2011) numri i lindjeve ka pësuar rënie të ndjeshme çdo vit, nga rreth 53 mijë në 2001 në rreth 34 mijë në vitin 2011. Ndërkohë, numri i vdekjeve ka mbetur në nivele të qëndrueshme, rreth 20 mijë çdo vit. Kjo nënkupton një shtesë pozitive natyrore, e cila karakterizohet nga një prirje në rënie. Në këto kushte rënia e lindshmërisë mendohet të jetë një nga faktorët që ka influencuar në rënien e numrit të popullsisë. Duke filluar nga viti 1990 popullsia e Shqipërisë filloi të njihte rënie të konsiderueshme, e cila erdhi si pasojë e emigracionit masiv. Ky fenomen vazhdoi të mbetet veprues dhe gjatë 10-vjeçarit të fundit. Vlerësohet se gjatë periudhës midis dy censuseve të fundit kanë emigruar rreth 500 mijë persona. Ky fakt mbështetet edhe nga të dhënat e emigracionit të marra nga disa prej vendeve kryesore destinacion të emigrantëve shqiptarë si për numrin ashtu edhe për lëvizjet vjetore të tyre. Censusi 2011 në Shqipëri, ashtu si në operacionet e censuseve të tjerë, u organizua në shtatë etapa të ndryshme: përfshirja e aktorëve në zgjedhjen e çështjeve jothelbësore, aktivitetet përgatitore, kryerja e numërimit, përpunimi i të dhënave, publikimi i rezultateve, vlerësimi i mbulimit dhe analiza e rezultateve. Ndër to, pesë fazat e para janë përfunduar tashmë. Publikimi i rezultateve finale të censusit është parashikuar të përfundojë brenda vitit 2013.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.