Tritoli shpërtheu sapo Enea Busukja ndezi makinën, FOTO: Ky është inspektori i Hetimit Tatimor që u tentua të eleminohej sot në Shkodër

Enea Busukja, 38 vjeç, ka mbetur i plagosur si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm me tritol, mesditën e kësaj të marte në kryeqendrën e veriut. Ai është Inspektor i Drejtorisë së Hetimit Tatimor Rajoni Verior dhe ka marrë plagë të shumta nga shpërthimi.

Policia e Shkodrës ka dalë me një komunikatë të shkurtër për shtyp, ku sqaron se ngjarja është regjistruar në lagjen “Ndoc Mazi” të qytetit, dhe shpërthimi ka ndodhur sapo 38 vjeçari është futur në makinë dhe e ka ndezur.

“Rreth orës 11:35, në lagjen “Ndoc Mazi”, në momentin që shtetasi E. B. ka ndezur automjetin e tij, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse në automjet. Si pasojë është dëmtuar shtetasi E. B., 38 vjeç, i cili është dërguar në spital dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën”, njofton Policia.

Forca të shumta policie kanë shkuar menjëherë dhe tashmë dyshimet janë se tritoli ka qenë pikërisht për shtetasin Enea Busukja.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po kryen të gjithë veprimet në terren dhe me pyetjen e personave që mund të kenë dijeni, për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe është dëgjuar në të gjithë qytetin, çka tregon se autori ka vendosur një sasi të konsiderueshme lënde plasëse në mjetin e Enea Busukja, 38 vjeç, me qëllimin e qartë për ta eleminuar.

Fuqia e madhe e shpërthimi ka shkaktuar dëme të shumta materiale në automjetet e tjera të parkuara në lagjen “Ndoc Mazi”, si dhe në ambientet përreth pallatit ku mjeti ishte parkuar.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT