Minutat e tmerrit brenda sallës së gjyqit! Ervis Kurtaj dëshmitari kyç i vrasjes së Astrit Kalasë, rrëfen momentin e ekzekutimit: Elvisi iu afrua gjyqtarit dhe e qëlloi…

Ervis Kurtaj, shkodrani i cili mbeti i plagosur brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit ka rrëfyer momentet e tmerrit dhe minutat të cilat rezultuan të ishin fatale për gjyqtarin Astrit Kalaja.

Para grupit hetimor, i riu i cili është konsideruar nga hetuesit edhe si dëshmitari kyç i vrasjes së gjyqtarit ka treguar me detaje momentet kur  30-vjeçari Elvis Shkambi nxori armën e zjarrit dhe filloi të qëllojë në drejtim të gjyqtarit.

Ai është shprehur se ngjarja ndodhi në çastin kur gjyqtari shpalli vendimin në favor të tyre dhe si rrjedhojë Shkambi, duke mos pranuar këtë fakt, u ngrit nga vendi ju afrua gjyqtarit dhe filloi që ta qëllojë disa herë.

 “Në atë moment, Elvisi u ngrit nga vendi dhe i’u afrua gjyqtarit duke qëlluar disa herë me armë zjarri,” ka deklaruar Kurtaj, teksa më tej ka treguar se sapo dëgjoi të shtënat u përpoq që së bashku me të atin, Rakip Kurtaj të largoheshin nga salla, mirëpo u përballën me 30-vjeçarin i cili filloi të qëllonte sërish në drejtim të tyre.

“Sapo dëgjova të shtënat, kapa babin nga dora dhe nisa të largohem drejt korridorit. Kur po kalonim derën e sallës, Elvisi u kthye dhe qëlloi drejt nesh,” shtoi Kurtaj.

Gjyqtari 60-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri mesditën e së hënës në sallën e gjyqit. Ai u qëllua me armë zjarri nga 30-vjeçari, Elvis Shkambi, teksa po shpallte një vendim gjyqësor për një çështje pronësie ku ishin të përfshirë familjarët e autorit. Krahas gjyqtarit, Shkambi qëlloi edhe ndaj Rakip dhe Elvis Kurtaj, babë e bir, të cilët ishin palë në këtë proces gjyqësor.

Kalaja u transportua me urgjencë drejt spitalit të traumës, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve ai nuk mundi të mbërrijë me shenja jete në spital, pasi kishte marrë dy plumba në gjoks dhe një në bark.

Prona që solli tragjedinë:

Një godinë e njohur në Shkodër si “Pallati i ish-rezervave”, e ndodhur në lagjen “Skënderbeg”, u kthye në burim përplasjesh të vazhdueshme mes 31 familjeve të strehuara aty dhe Gjon Shkambit, xhaxhai i autorit të ngjarjes tragjike.

Familjet, të cilat ishin vendosur në ndërtesë me një vendim të Bashkisë që prej vitit 1992, akuzonin Shkambin se posedonte dokumente të falsifikuara mbi pronësinë e truallit. Nga ana tjetër, familja Shkambi pretendonte se kishte fituar të drejtën mbi pronën nëpërmjet një vendimi gjyqësor dhe mbështetej edhe në një urdhër ekzekutiv të lëshuar nga Zyra e Përmbarimit.

Konflikti, i cili kishte vite që zgjaste dhe ishte kthyer në çështje publike, ishte denoncuar edhe në emisione televizive. Sipas familjes Shkambi, godina ishte uzurpuar dhe kërkohej lirimi i saj.

Pavarësisht se e kishin fituar çështjen në Gjykatën e Shkallës së Parë, konflikti për pronësinë vijoi në Apel. Në mungesë të një zgjidhjeje përfundimtare ligjore, çështja përfundoi tragjikisht në vetëgjyqësi.

Dinamika e ngjarjes, sipas grupit hetimor të DVP Tiranë:

Në orën 13:42, në ambientet e sallës së pritjes për publikun të Gjykatës janë futur dhe kanë kaluar nga pajisja skaner (detektor), njëri pas tjetrit, shtetasit Elvis Shkambi dhe Gjon Shkambi.

Në ekranin e detektorit është sinjalizuar prezenca e metaleve duke ndezur dritat e kuqe, por shtetasi Banush Koxhaj, me detyrë punonjës sigurie pranë Gjykatës së Apelit Tiranë, ka qëndruar i ulur në karrige dhe nuk ka kryer asnjë veprim për kontrollin fizik të këtyre shtetasve apo regjistrimin e tyre në librin e protokollit, ku duhet të evidentohen të gjithë personat që hyjnë dhe dalin nga ambientet e Gjykatës.

Të dy këta shtetas, Elvis Shkambi dhe Gjon Shkambi, qëndrojnë në hollin e pritjes së Gjykatës deri rreth orës 15:29, dhe më pas futen në ambientet e sallës së zhvillimit të seancës gjyqësore (salla nr.3).

Në orën 15:35, palët ngrihen në këmbë dhe, menjëherë pasi gjyqtari Astrit Kalaja shpall vendimin, shtetasi Elvis Shkambi, që ndodhej në sallë, nxjerr nga brezi një armë zjarri pistoletë dhe qëllon disa herë në drejtim të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili, si pasojë e dëmtimeve të marra dhe pas ndihmës së parë mjekësore, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.

Njëkohësisht, pas këtij veprimi, shtetasi Elvis Shkambi i drejton pistoletën dhe qëllon një herë në drejtim të shtetasve Rakip Kurtaj dhe Ervis Kurtaj, duke i plagosur të dy, të cilët aktualisht ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.

Gjithashtu, nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Gjon Shkambi nuk ndërmerr asnjë veprim për të ndërprerë veprimet kriminale të nipit të tij, çka krijon dyshimin e arsyeshëm se ai ka qenë në dijeni të planit për ekzekutimin e gjyqtarit të çështjes, në rolin e shtytësit dhe/ose ndihmësit.

Pas ngjarjes, shtetasi Elvis Shkambi ka dalë nga salla dhe i ka dorëzuar armën shtetasit B. P., me detyrë nëpunës gjyqësor, për mbikëqyrjen dhe mbarëvajtjen e proceseve gjyqësore, në një tjetër sallë. Autori Elvis Shkambi, pas daljes në oborr, është neutralizuar dhe prangosur menjëherë nga punonjësit e Policisë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT