Zgjedhjet e pjesshme në 5 bashki ,ish-kreu i KQZ, Kume: Politika i ka demotivuar qytetarët, ja arsyet e pjesëmarrjes së ulët

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kristaq Kume, ka komentuar procesin e zgjedhjeve të pjesshme lokale të zhvilluara dje në pesë bashki të vendit, Vlorë, Tepelenë, Berat, Cërrik dhe Mat, ku u vu re një pjesëmarrje shumë e ulët e qytetarëve në votim. 

I ftuar në studion e News24, Kume u shpreh se rezultati i pjesëmarrjes nuk ishte i papritur, duke argumentuar se zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie zakonisht nuk ngjallin interes të lartë tek elektorati. 

“Nuk pritej ndonjë pjesëmarrje që të befasoheshim në këto zgjedhje. Nuk jam befasuar nga ky reagim i qytetarëve. Ishin zgjedhje jashtë radhe dhe u bënë vetëm për kryetarin e bashkisë, ndërsa dihet që një pjesë e mirë e elektoratit nxiten nga kandidatët për këshillin bashkiak,” tha Kume. 

Sipas tij, mosbesimi i qytetarëve ndaj politikës është bërë një faktor kyç në rënien e pjesëmarrjes në zgjedhje, për shkak të sjelljes së forcave kryesore politike. 

“Një arsye që duhet parë me vëmendje është demotivimi i zgjedhësve për shkak të asaj që bëjnë aktorët kryesorë politikë në vend, mazhoranca dhe opozita, që kanë përgjegjësi të mëdha. Sjellja e tyre gjatë viteve ka shkuar drejt asaj që e bën qytetarin mosbesues,” theksoi ai. 

Kume vlerësoi përpjekjen e opozitës për të konkurruar me kandidatë të pavarur në këto zgjedhje, por theksoi se kjo nismë nuk u shoqërua me bashkëpunim real midis forcave opozitare. 

“Opozita bëri mirë që gjeti këtë rrugë me kandidatët e pavarur për të qenë bashkë, por nuk bënë asgjë për ta realizuar konkretisht këtë gjë,” u shpreh Kume. 

Ai kritikoi gjithashtu partitë e reja opozitare, të cilat sipas tij “nuk kishin si objektiv krijimin e sinergjisë për një rezultat pozitiv, por shmangien e përgjegjësisë”. 

“Ishte propozimi i tyre që të gjejnë një kandidat jo politik, por pasi u arrit kjo, si duket nuk kishin interes të arrinin rezultat, por të shmangnin mbajtjen e përgjegjësisë,” përfundoi Kume. 

 

 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT