Florjan Binaj shigjeton Berishën dhe opozitarët e tjerë: E lanë sheshin e valles bosh, çfarë më bindi të kandidoj për Tiranën

Florjan tregoi se pse kishte vendosur të kandidonte për Bashkinë e Tiranës. Aktori dhe moderatori i njohur e tha hapur se Berisha dhe opozitarët e tjerë nuk zgjodhën asnjë kandidat dhe në këto kushte vendosi të provonte për të qenë përfaqësuesi i qytetarëve në nivel lokal. I ftuar në “Top Story” të Grida Dumës, Binaj u shpreh:
“Dua ta filloj me një falënderim që unë u riktheva në këtë shtëpi që kam rilindur artistikisht. Që kur kam qenë fëmijë kam dashur të vendos drejtësi gjërave. Kam ngrënë edhe dru ndonjëherë. Angazhimi im ka qenë gjithmonë, edhe pse jo gjithmonë i dukshëm. Grupi im shoqëror dhe familja më thonin gjithmonë, se pse unë nuk e provoj“, tha fillimisht ai.
Më tej shtoi: “Kushtet e deshën që në këto ditë të merrja një vendim aspak të lehtë sepse mban shumë përgjegjësi. Prisja që rrethi im të thoshte: Ç’pate?
Por në fakt të gjithë po më thonin që ishte gjëja e duhur në momentin e duhur. Sepse partitë opozitare hapën krahët në një farë mënyre sepse e lanë sheshin e valles bosh. Unë dola që të ndizja edhe tek të tjerë që të kishte sa më shumë opsione. Ka ardhur koha që qytetari të jetë për qytetarin“.