Rama ironizon Bashën: Ky plani 7×7=42 qenka lule corone! Ç’maskaradë!

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar planin e propozuar nga kreu i PD, Lulzim Basha për masat që qeveria duhet të marrë për qytetarët dhe bizneset, në këto momente të vështira për vendin.

Në një status në twitter, kreu i qeverisë thotë se planin i opozitës synon t’u marrë frymën qytetarëve.

“Ky plani 7×7=42 qenka lule corone! Me këtë i bie t’ia bluajmë vetë kockën vendit dhe t’u hamë fëmijëve gjithçka, më shpejt se sa vetë corona synon t’u marrë frymën më të moshuarve! Hajde plan hajde! Nuk thonë kot vesi del me shpirtin, s’ka coronë që e nxjerr! pffff…ç’maskaradë!”, shkruan Rama.

Në një deklaratë më herët Partia Demokratike i kërkoi qeverisë  të rishikojë buxhetin e vitit 2020 dhe të marrë një sërë masash në ndihmë të qytetarëve dhe sipërmarrjes

Ja propozimet e Bashës

1.  Të pezullohen pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë 3-mujore (shlyerja e këtyre pagesave të bëhet me këste 12-mujore në periudhat pasardhëse).

2.  Në rast nevoje, kur biznesi shfaq pamundësi financiare, të paguhen nga buxheti i shtetit pagat e punonjësve për një periudhë 2-mujore, sipas kritereve të mirëpërcaktuara për të shmangur abuzimin.

3.  Përjashtimin nga tatim fitimi për 6-mujorin e parë të vitit dhe të pezullohet tatim fitimi për pjesën e mbetur të vitit (e cila të paguhet me 4 këste gjatë vitit 2021).

4.  Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit për të gjithë konsumatorët (familjarë nën minimumin jetik dhe biznese të vogla e të mesme) në zonat (bashkitë) ku virusi Covid-19 është shfaqur.

Gjithashtu, të pezullohet shkëputja e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në rast të mospagesës së detyrimeve për periudhat pararendëse deri në tejkalimin e kësaj gjendje.

5.  Të përjashtohen nga kamatvonesat dhe gjobat për një periudhë 3 mujore.

6. Përjashtim nga taksa e pronës dhe nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore për një periudhë 3-mujore në zonat (bashkitë) ku virusi Covid-19 është shfaqur.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT