“Huffington Post”: Çfarë e shqetëson më shumë BE-në tek një vend si Shqipëria

Vizita këtë të premte e Ministrit të Brendshëm të Francës Gérard Collomb në Tiranë, ka marrë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare. Është prestigjozja “Huffington Post”, e cila në një artikull të saj, sjell të zgjeruar detajet nga vizita e Ministrit francëz në Tiranë, dhe mbi të gjitha problematikat e adresuara nga ai për autoritetet shqiptare. Në artikull fillimisht theksi vihet mbi emigracionin e paligjshëm nga shqiptarët drejt Francës, ku më problematikë janë kërkesat e shumta për azil. Sipas “Huffington Post”, kjo është edhe një ndër aryset më madhore që ministri Collomb zbarkoi këtë të premte në Tiranë. “Në vitin 2016, Shqipëria zuri vendin e parë për origjinën e azilkërkuesve në Francë me 7432 kërkesa të regjistruara nga Zyra Franceze për Mbrojtjen e Refugjatëve dhe Personave pa Shtetësi. Kjo është më shumë se ajo e vendeve në luftë apo në trazira, të tilla si Siria dhe Afganistani, Sudani apo Iraku. Një shifër që është dyfishuar në një vit, por që Ministri i Brendshëm Gerard Collomb, kërkon që ta shikojë në rënie” – shkruan HuffPost i cili shton se: “Franca dhe më gjerësisht Bashkimi Europian, shihen si “El Dorado” në Shqipëri, një vend prej 3 milion banorësh, ku dukuria e emigrimit është rritur ndjeshëm. Sipas shifrave zyrtare, 17.095 shqiptarë kanë bërë një kërkesë për azil brenda zonës Shengen në 9 muajt e parë të vitit 2017. Gjermania është gjithashtu njohur me 4750 kërkesa, por Berlini e ka frenuar këtë fenomen” thuhet mes të tjerave në shkrim. Prestigjozja i kushton hapësirë edhe luftës ndaj trafikut të narkotikëve, duke u ndalur edhe në çështjen “Tahiri”.Sipas asaj që shkruan “Huffington Post”, dosja e ish-Ministrit të Brendshëm dhe akuzat e ngritura, kanë dobësuar qeverinë e Edi Ramës, krahasuar me pak muaj më parë kur fitoi zgjedhjet e 25 Qershorit. “Zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017 konfirmuan qëndrimin e partisë së Edi Ramës, e cila fitoi një shumicë të madhe në Parlament. Por problemi i narkotikëve ka dobësuar kohët e fundit pozicionin e saj. Në nëntor, një njeri i afërm i Edi Ramës i cili deri në pranverën e vitit 2017 mbajti postin e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, u implikua në trafikimin ndërkombëtar të kanabisit. Opozita e kapi menjëherë çështjen dhe e denoncoi “një qeveri narkotrafikantësh që duhet të bjerë dhe t’i hapë rrugë një qeverie anti-mafia”. Partia Socialiste e ka kthyer Shqipërinë në “Kolumbinë e Evropës”, sipas së djathtës, e cila shumëfishon sulmet kundër pushtetit në vend. Vendi prej vitesh ka qenë eksportuesi më i madh i kanabisit në BE, përfshirë Italinë, sipas raporteve të njëpasnjëshme nga Europol. Kjo tregti do të përfaqësonte një të tretën e vlerës së Produktit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë ose më shumë, sipas burimeve diplomatike perëndimore. Në raportin e fundit të avancimit, Brukseli beson se autoritetet “dështuan në identifikimin e grupeve kriminale”  thuhet në editorialin e “Huffington Post”. (e.c/noa.al)

Back to top button
LAJMET E FUNDIT