Përse nuk po krijohet qeveria e Kosovës

Nga Bedri Islami

 Megjithëse nuk ishte një fitore plebishitare dhe larg asaj që ishte pritur, përsëri, lideri i VV, Albin Kurti, për shumëkënd, edhe për një pjesë të ndjeshme të atyre që nuk e kishin votuar, ngjalli shpresë dhe krijoi një vorbull besimi, edhe përtej Kosovës.

I nisur nga një lëvizje studentore, me ndalesë në burgjet serbe, ai krijoi Lëvizjen e tij, me emrin ndjellës, Vetëvendosje”! dhe nisi një rrugë politike, e cila, asnjëherë nuk ka qenë e qetë, por gjithnjë ka qenë mirë e artikuluar.

I vendosur përballë një detashmenti politik që po e humbiste veten përmes vendimeve të paqarta, rritje të korrupsionit, vrazhdësisë dhe krijimin e problemeve të një pas njëshme, Kurti pritej, në fakt ende e presin, të ishte lideri i duhur për Kosovën, për nxjerrjen e saj nga stanjacioni, vendosjen e shtetit të së drejtës, krijimin e një klime të barabartë për të gjithë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe nderimin e luftës çlirimtare. Mbi të gjitha ai pritej, dhe ende pritet, që të ishte përballë politikës serbe me një qasje ndryshe, më të fuqishme, në thelb më nacionaliste, më të vendosur dhe asnjëherë të nënshtruar.

Deklaratat e tij politike në vite, pavarësisht kohës së bërë dhe tonit, e për më tepër, pavarësisht metodës agresive, ngjallnin dhe vazhdojnë të ngjallin mendimin se, patjetër, politika e Kosovës po futej në një stad të ri, shumë më domethënës dhe tejet më e afruar me aspiratat e shqiptarëve. Në votuesit e Kurtit , si ka ndodhur vetëm një dekadë me parë me Thaçin, shumica e fituesve janë të rinj dhe kjo e bën atë të ketë pas vetes një forcë energjike, të etur për ndryshime dhe të gatshme për përmbysje.

Fitorja e tij në zgjedhje ishte e pritur, vetë Kurti hyri në lojën elektorale me moton e kryeministrit të ardhshëm, ai gjeti partnerin e vetëm në këtë lojë apo paslojë, LDK-në e Isa Mustafës, dhe, duke i bërë ftesën për një koalicion parazgjedhor, ku, me siguri njerëzit e tij do të kishin epërsi, ai ishte i gatshëm të ndërtonte një qeveri të vogël, me gjithsejt 12 ministri, nga të cilat 2 janë për pakicat dhe serbët, po ashtu – pakicë, të krijonte një aparat të thjeshtë, efikas, pa humbje të mëdha dhe, sidomos, larg qeverisë në largim që kishte aq shumë zëvendësministra, sa nuk kishte asnjë shtet në botë.

Tani është një situatë krejt tjetër nga sa ishte menduar. Premtimi i Kurtit për të ndërtuar maksimalisht shpejt një qeveri të re, ka rënë. Askush nuk e kujton më atë. Kaluan 3 muaj e gjysmë nga zgjedhjet politike në Kosovë dhe qeveria e së djeshmes është ende ligjërisht qeveria e Kosovës, pavarësisht dorëheqjes së shefit të saj, Haradinaj.

Loja naive, thuaj fëminore, mes presidentit të Kosovës dhe liderit të VV të kujton zemërimet fëminore, të cilët gjuhen me njëri tjetrin për gjithçka dhe duket sikur në një çast po pajtohen me njëri tjetrin ,kur në fakt e kanë stër-rritur distancinë dhe ndasinë mes tyre.

Ka disa arsye përse Kosova është pa qeveri dhe përse ishtë krejt e mundur që Kurti dhe Lëvizja VV të mos mund të krijojnë qeverinë e premtuar.

Në rrugëtimin e tij politik, Kurti dhe VV, kanë pasur gjithnjë përballë vetes kundërshtarë, të cilët, më tepër se sa kaq, ata i kanë trajtuar si armiq politikë dhe i kanë luftuar si të tillë, me të gjitha mjetet e fjalës dhe , herë pas here, edhe me molotovë apo me tymuese parlamentare.

Në këtë rrugëtim, sa herë që njëri nga aleatët e djeshëm , ka ndryshuar rrugë, Kurti dhe VV i janë vërsulur rreptësisht, me të gjithë egërsinë e një politike skajore. Kjo ka ndodhur me LDK-në, kur Thaçi u zgjodh president edhe me votat e saj; ka ndodhur me AAK , kur ajo pranoi postet qeveritare de detyrën e kryeministrit, ka ndodhur me NISMA-n e Limajt, ndoshta më qetë, sepse nuk e ka trajtuar kurrë si forcë serioze dhe desh e nxori krejt jashtë loje me votat e manipuluara të ardhura nga Serbia dhe, sidomos e mbi të gjitha, me PDK-në, në dy kohërat e saj, si në drejtimin e Thaçit, ashtu edhe në drejtimin e Veselit.

Normalisht, përafrimi më i madh i VV është me PDK-në, pasi kanë fillesa të përbashkëta, mentalitet të përbashkët, megjithëse PDK synon të shfaqet si forcë e së djathtës, në fakt janë të dyja të majta; njerëzit e njërës anë gjenden lehtësisht edhe në anën tjetër; si njëra, ashtu dhe tjetra , në kohëra të ndryshme, kanë pasur synim bashkimin kombëtar dhe, e kanë trajtuar shtetin shqiptar si vendin e tyre amë.

Lëvizja VV dhe Kurti, në varësi të sjelljeve politike, i bënë të gjithë armiq. Shkuan përtej cilësimit si kundërshtarë, duke e përjashtuar çdo lloj bashkëpunimi me to. Adresa e vetme që u kishte mbetur ishte LDK-ja, krejt e ndryshme me VV, dhe kjo, jo se LDK është forcë e së djathtës, por sepse, shumica e atyre që ishin dikur besnikë të Lidhjes Komuniste të Serbisë, kanë gjetur strehë në LDK, duke ia nisur që nga shefi i saj, Mustafa.

Përjashtimi i të gjithave dhe mbështetja në një gur ishte gabimi i parë dhe më themeltar. LDK-ja është  vërtet, në shumicën e saj, një forcë politike e dalë nga Lidhja Komuniste e Kosovës, por është forcë politike që duhet llogaritur, u duhesh qasur gjithnjë me një operacion rezervë dhe nuk i duhen lënë kurrë të gjithë gurët në gjysmë fushën e saj.

E , megjithatë, edhe nëse Lëvizja VV dhe Kurti do të krijojnë më në fund një qeveri të përbashkët me LDK-në, që do të jetë si bashkimi i verës me uthullën, gjërat nuk do të jenë kurrë në të dobi dhe jetëgjatësia e saj mund të varet nga fakti se si është zgjuar në mëngjes Isa Mustafa. Klanet brenda LDK-së dhe vetë lideri i saj, nuk ia kanë harruar Kurtit protestat kundër tij dhe thirrjet masive, “ Isë, Isë, këlyshi i Serbusë”. Kërkesa për të bërë qeveri me “këlyshin e Serbisë”, duke ndjellë drejt tij edhe përkuljen, është shkaku i dytë i moskrijimit të qeverisë. Sepse LDK-ja dhe Isa Mustafa duke duan vetëm ndjelljen e përkuljes, por përkuljen e plotë. Deri në nënshtrim.

A do e nënshtrojë Kurtin etja për pushtet? Kjo është pyetja që rëndon mbi të dhe të cilën askush nuk mund ta dijë me siguri përgjigjen e saj.

Ka shumë kohë, që në fillimet e bisedimeve për një qeveri të përbashkët që gjithçka, deri në banalizim, sillet rreth posteve qeveritare dhe shtetërore. Kaq bajate u bë kjo gjë , sa që askush nuk e di nëse liderët, në kaq shumë takime, kanë folur edhe për gjëra të tjera, apo vetëm për ndarjen e tortës së pushtetit. Në ndenjat e gjata nuk dihet nëse anë folur për programe qeveritare, synime dhe objektiva, për qëndrimin që do të ketë qeveria e tyre lidhur me dialogun me shtetin serb, për krijimin e Zajednicës, bashkësive me shumicë serbe, ndaj idesë së të cilës Kurti ka qenë kundërshtar dhe Mustafa ka qenë pranues; rreth qëndrimit ndaj idesë së Minishengenit, që Kurti nuk e pranon dhe Mustafa mund ta shohë si vazhdë e politikës së tij; rreth goditjes së krimit të organizuar, ku njëra palë, ajo që nuk ka qenë në pushtet, ndjehet e qetë, ndërsa palë tjetër, ajo që ka shijuar disa herë pushtetin, ndjehet e rrezikuar.

Përcjellja mes një politike që ka të bëjë me ndarjen e posteve, pra të jap pesë dhe më prano pesë, ky është i imi dhe ky tjetri është i yti, për atë tjetrin do të diskutojmë më vonë..jo, ai post është i imi…pra, e gjithë kjo tollovi , që më shumë se politike, është foshnjore, ka sjellë humbjen e besimit se do të ketë një qeveri si ishte menduar, por, edhe nëse do të ketë, sa do të jetë efikase.

Nuk mjafton vetë, vullneti i një njeriu për të bërë një qeveri të mirë, megjithëse, si duket, asnjëri e as tjetri, nuk kanë dëshirë të kenë një qeveri të përbashkët. Deri sa të vjelin sa të munden dhe deri ku të munden benificet qeverisëse.

Prej shumë kohësh, edhe kur Haradinaj ende nuk e kishte dhënë dorëheqjen, lideri i VV, Kurti, kishte shpallur se ai do të ishte kryeministri i ardhshëm i Kosovës. Pak të thuash se kjo nuk është modeste. Të tjerë mund të artikulonin emërin e tij, por ai vetë, sidomos kaq shpesh e herë herë pa vend, nuk duhej të binte në batakun e zakonshëm politik.

Qeveria e përbashkët Kurti – Mustafa duket një mision i pamundur. Pas tyre qëndron hija e një njeriu që e njeh politikën më mirë se të dy, Thaçi, dhe i cili, ose nuk i ka tërhequr fijet deri në fund, ose pritet të ndërmarrë aksionin e tij politik. Të besosh se e ke mposhtur Thaçin se ashtu është dëshira yte është naivitet fëmijëror, që nuk lejohet në politikë.

Presidenti i Kosovës i josh të dy për një mandat, por askush nuk shkon ta tërheqë, megjithëse e duan. Loja me pushtetin bëhet edhe më e rëndë, dhe si duket nuk e mbajnë dot, kur edhe përkrahja ndërkombëtare nuk është si është menduar se do të jetë. Fakti që ata, përfaqësuesit ndërkombëtarë, po bëjnë lojra fjalësh, duke përsëritur se presin krijimin e qeverisë, por nga një distancë jo e zakonshme, tregon se edhe tek vetë ata apo kabinetet e tyre qeveritare, ka pasur një pritje ndryshe.

Mustafa, edhe kur nuk ka qenë lideri suprem, si një ushtarak civil, i LDK-së, e ka ditur lojën politike dhe passkenat e saj.

Këtë po luan edhe tani. Në këtë grackë – nëse është vetëm grackë – ka rënë edhe lideri i Lëvizjes VV, Kurti, që , duke bërë vetëm një zgjedhje, mund të mësojë se nuk thahen të gjitha burimet, për për të gjetur një burim të ri, i cili ende nuk dihet se çfarë ujët ka.

Thirrja për lirinë, duke përdorur tonin e diktatorit , nuk është shenjë demokracie!

Edhe në politikën e tij ndaj Shqipërisë , jo rastësisht, Kurti bëri lëvizje të gabuara, duke u shfaqur si palë politike në një ndeshje që nuk ishte e tija dhe nuk mund të jetë e tija, pavarësisht filialit që ka krijuar në Shqipëri.

Mbështetja e tij ndal lëvizjeve të Berishës apo të Metës, të pazakonta pëpr një politikan të hapur, si kundërvënie ndaj qeverisë Rama, për më tepër në një moment kur presidenti i shtetit të tij, pavarësisht nëse e njeh apo jo ai vetë, ishte në përplasje me zotin Berisha, ku disa të vërteta po shpalleshin nga njeriu i lëvizjes klandestine çlirimtare, ishte mburoja që Kurti po i vendoste pa të drejtë njerëzve, që e kishin sulmuar egërsisht dhe do e sulmojnë edhe në të ardhmen.

Nuk mjafton vetëm të shpallësh se ti do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës.

Duhet të bëhesh fillimisht dhe pastaj, ta shpallësh.

Si kudo, edhe në politikë, gjërat kanë rendin e tyre.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT