“Guma”, neonazistët grekë zbarkojnë në Himarë

Ne rreth deputeti i partisë neonaziste “Agimi i Artë”, Kristo Papa

Ndryshe nga një vit më parë, dje ceremonia përkujtimore për dyvjetorin e vdekjes së Aristotel Gumës, ka kaluar disi në heshtje. Kanë qenë pjesëtarët e familjes Guma, të cilët kanë organizuar një ceremoni simbolike në ambientet e kishës së “Gjithë shenjtorëve” e më pas të pranishmit janë zhvendosur për në varrezat e qytetit, ku dhe kanë kryer nderimet për Gumën. Mësohet se të pranishëm kanë qenë rreth 100 persona, mes tyre deputetë grekë, si dhe figura të njohura të minoritetit etnik grek në Shqipëri. Ajo që ra në sy ishte prania e deputetit të partisë neonaziste “Agimi i Artë”, Kristo Papa, i cili gjatë fjalës së tij u shpreh se nuk ka Epir të veriut dhe Epir të jugut, por është një i vetëm. Papa gjithashtu kritikoi qeverinë greke për sjelljen e saj të deritanishme ndaj kësaj zone. Ndërkaq, në ceremoni nuk munguan as kryetari i OMONIA-s, Vasil Bollano; Kryetari i partisë MEGA, Kristaq Kiço; kandidati për deputet në Greqi, Aleksandër Anagnosti; disa përfaqësues të organizatës “SFEVA”, si dhe një përfaqësi e organizatës “Rinia e Epirit të Veriut”. 


Ceremonia 
Rreth 100 persona kanë qenë të pranishëm gjatë ditës së djeshme, në ceremoninë përkujtimore në nderim të 2-vjetorit të vdekjes së 35-vjeçarit Aristotel Guma, i cili humbi jetën si pasojë e një aksidenti rrugor të shkaktuar nga disa të rinj vlonjatë. Ceremonia ka nisur me meshën përkujtimore në ambientet e kishës së “Gjithë Shenjtorëve”, aty ku deri pak muaj më parë ka qenë i vendosur dhe busti përkujtimor në nderim të Gumës. Pas përfundimit të ceremonisë në kishë, të gjithë të pranishmit janë drejtuar për në varrezat e qytetit. Ndërkaq, fjala e rastit gjatë kësaj ceremonie është mbajtur nga kunati i Aristotel Gumës, Mondi Kolila, i cili u shpreh se ata nuk presin drejtësi nga gjykatat shqiptare, të cilat sipas tij, janë përpjekur për ta mbuluar atë. “Ne të gjithë përpiqemi për idealet për të cilat u martirizua Aristoteli, për gjuhën dhe të gjitha të drejtat e grekëve”,– deklaroi gjatë fjalimit, Mondi Kolila. 


Më pas të pranishmit kanë vendosur kurora pranë varrit të Aristotel Gumës dhe i është lënë radha fjalimit të deputetit të “Agimit të Artë”, Kristo Papa, i cili është përqendruar në fjalët e gdhendura në varrin e Gumës: “Vdekja e trimit, nuk është vdekje”. Deputeti neonazist theksoi se nuk ka Epir i Veriut dhe Epir i Jugut, por është një i vetëm. Gjithashtu ai shprehu zhgënjimin e tij në lidhje me mënyrën se si qeveria greke është duke u përballur me këtë pjesë të henelizimit. 


Një detaj që tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve dhe që ngjalli pakënaqësi ishte fakti se të pranishmit e ardhur nga partia “Agimi i Artë” nuk kanë mbajtur në duar flamujt grekë, por flamujt e kuq të partisë. Megjithatë, në fund të fjalës së tij, deputeti Papa u duartrokit nga të gjithë të pranishmit. Vlen për t’u theksuar se në fund të ceremonisë përkujtimore është dëgjuar himni grek. 


Ngjarja 
Një përplasje e rëndë automobilistike mes një automjeti dhe një motoçiklete ka shkaktuar, mbrëmjen e datës 12 gusht 2010, vdekjen e minoritarit 35-vjeçar, Aristotel Guma. Kjo ngjarje tragjike, që pasoi një konflikt mes viktimës dhe një grupi të rinjsh shqiptarë nga Vlora, ka ngjallur reagimin e ashpër të banorëve greqishtfolës së Himarës, të cilët bllokuan për 13 orë aksin nacional Vlorë-Sarandë, me pretendimin se “ky është një krim i qëllimshëm”. Ngjarja e rëndë u regjistrua në orën 21:00 të ditës së premte, në vendin e quajtur “Avli”, në aksin që lidh qytetin e Himarës me Himarë-Fshat. Para aksidentit, të rinjtë nga Vlora kanë konfliktuar pak minuta me fjalë me njëri-tjetrin. Pikërisht në këtë vend, motoçikleta e cila drejtohej nga 35-vjeçari Aristotel Guma është goditur nga një “Audi-A3” ngjyrë gri, që më vonë u mësua se drejtohej nga Ilir Muka nga Vlora. Nga përplasja, fillimisht motoçikleta ka goditur një shtyllë dhe më pas, është përplasur dhjetëra metra zvarrë në rrugë. Për pasojë, Guma ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Duke e quajtur “aksident të qëllimshëm” atë që ndodhi në hyrje të qytetit, me parulla në duar ku shkruhej “Të zbardhet e vërteta”, “Është vrasje e qëllimshme”, banorët greqishtfolës të Himarës ngritën barrikadë gurësh në rrugë, duke mos lejuar lëvizjen e asnjë mjeti për 13 orë.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT