Meta përshëndet inicitaivën për dërgimin e 30 mjekëve në Itali: Këto sakrifica do forcojnë edhe më shumë marrëdhënien mes dy popujve tanë

Presidenti Ilir Meta ka shpërndarë pak më parë videon e ministrit të Jashtëm të Italisë Luigi Di Maio, i cili mirëpriti vetë në Aeroportin e Romës ekipin me 30 mjekë e infermierë shqiptarë që do të ndihmojnë kolegët italianë në betejën me koronavirusin.
“Mirënjohje dhe krenari për 30 mjekët dhe infermierët tanë, të cilët do shërbejnë në rajonin më të prekur nga pandemia në Italinë fqinje. Ky solidaritet dhe këto sakrifica do ta forcojnë edhe më shumë marrëdhënien e shkëlqyer midis dy vendeve e popujve tanë”, shkruan Meta dhe shpërndan videon e Di Maio.
Kujtojmë se, ministri italian nuk i kurseu falenderimet për Shqipërinë dhe popullin mik shqiptar sapo avioni me 30 mjekët e infermierët preku tokën italiane.