Filmimet: S’u dha ‘alarmi i kuq’, policia dhe ICTS nuk bashkëpunuan

Policia e Shtetit dhe stafi koncesionarit “TIA” dhe i shoqërisë “ICTS Albania” që është ngarkuar për të siguruar rendin dhe qetësinë e aeroportit “Nënë Tereza” rezulton të mos kenë bashkëpunuar me njëri tjetrin.

Komandoja e grabitësve e përbërë nga katër vetë dhe e maskuar me një furgon të bardhë me mbishkrimin “Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve” dhe “Hetimi Tatimor” është filmuar në çdo veprim.

Admir Murataj së bashku me tre bashkëpuntorët e tij, janë filmuar duke tërhequr zvarrë me furgon barrierën e betonit, që bllokonte kalimin. Njëri prej tyre ka prerë zinxhirin bllokues të derës me gërshërë çeliku dhe më pas gjithçka ka qenë e lirë për të hyrë në pistë.

Mirëpo edhe pse këto veprime shiheshin qartë në kamera, nga ana e stafit të sigurisë së aeroportit, nuk është dhënë asnjë alarm i kuq.

Sinjali i kuq është dhënë vetëm kur katër persona të armatosur janë parë pranë avionit, teksa rrëmbenin thasët me para nga hambari i tij dhe i fusin në fugon.

Si për ta shtuar konfuzionin, dera ku ka kërkuar të futej policia, nuk hapej.

Në këto kushte policisë i është dashur të rrotullohet rreth pistës së aeroportit dhe më pas të vihet në ndjekje të grabitësve, të cilët ashtu siç hynë me furgonin e bardhë, ashtu dhe u larguan pa u bllokuar nga askush.

Rreth 2 km larg pistës së aeroportit, autorët kanë qëndruar duke u ndarë nga njëri-tjetri. I vetmi që ka qëndruar në furgon me qëllim që ti vinte zjarrin ka qënë Admir Murataj, i cili për të mbajtur sa më larg policinë ka vijuar të qëllojë me armë drejt efektivave.

Këta të fundit i janë kundërpërgjigjur me armë, duke e goditur me një plumb në kokë. Policët i janë afruar dhe kanë zbuluar se ai ishte i maskuar me një maskë silikoni, ndërkohë që nuk kanë konstatuar asnjë mjet indetifikimi të tij. Zbardhja e identitetit të Murataj është bërë vetëm falë krahasimit të gjurmëve të gishtave të tij me ato që ishin marrë në Greqi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT