Shkarkimi nga detyra, Veliaj gati të dorëzojë kërkesë në Kushtetuese: Neni 62 nuk mund të…

Mbrojtja e Erjon Veliaj po bëhet gati të dorëzojë kërkesë në Kushtetuese raporton Anila Hoxha.

Nga materiali që Anila Hoxha pa jepen edhe detaje të padisë.

Veliaj kundërshton në Gjykatën Kushtetuese shkarkimin nga detyra: Neni 62 nuk mund të zëvendësojë nenin 115 të Kushtetutës, por interpretohet në pajtim me të.

Shkarkimi pa shkelje të rëndë të provuar është i paligjshëm dhe antikushtetues.

Kushtetuta mbi ligjin! Neni 115 është filtër i detyrueshëm për çdo shkarkim.

Neni 62 i ligjit për qeverisjen vendore interpretohet vetëm brenda kornizës së nenit 115 të Kushtetutës.

Nëse kjo qasje do të pranohej, do të krijohej një precedent i rrezikshëm: çdo dispozitë ligjore e ardhur më pas, në vend që të zbatohej në përputhje me Kushtetutën, mund të përdorej si bazë për të anashkaluar ose relativizuar dispozitat kushtetuese.

Kjo do të zhdukte funksionin e Kushtetutës si akt suprem, duke e shndërruar atë në një dokument deklarativ pa fuqi reale kufizuese mbi pushtetet. Një situatë e tillë do të rrënonte jo vetëm parimin e shtetit të së drejtës, por edhe garancitë e vetëqeverisjes vendore, sepse mandati i zgjedhur nuk do të ishte më i mbrojtur nga Kushtetuta, por i varur nga interpretimet e rastit të një ligji të zakonshëm ose të një akti të ekzekutivit. Në jurisprudencën kushtetuese është theksuar se parimi i shtetit të së drejtës i detyron të gjitha organet e pushtetit publik që t’i ushtrojnë kompetencat e tyre vetëm në kuadër dhe në bazë të normave kushtetuese.

Këshilli i Ministrave, në krye të vendimit të shkarkimit, ka cituar si bazë ligjore vetëm nenin 100 të Kushtetutës dhe nenin 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore, sikur këto dispozita të ishin të mjaftueshme për të justifikuar kompetencën e tij. Me këtë qasje, do të pretendojë para kësaj Gjykate se akti nuk ka dalë mbi bazën e nenit 115 të Kushtetutës. Por një pretendim i tillë është tërësisht i pabazë. Kushtetuta, si akti më i lartë i rendit juridik, ka përcaktuar shprehimisht se në cilat raste mund të shkarkohet Kryetari i Bashkisë. Në mungesë të një autorizimi kushtetues, ligjvënësi nuk mund të shtojë vetë raste të tjera shkarkimi që nuk përfshihen në këtë parashikim dhe që Kushtetuta nuk i ka autorizuar që ligjvënësi ti bëjë. Për më tepër, edhe nëse i referohemi nenit 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore, ky i fundit parashikon vetë se është nxjerrë “në bazë dhe për zbatim të nenit 115 të Kushtetutës”, pra nuk mund të kuptohet dhe as të zbatohet i shkëputur nga neni 115, që është burimi i vetëm kushtetues i kompetencës për shkarkimin e një organi vendor të zgjedhur.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT