Kreu i ri i SPAK/ Arben Kraja ka hetuar Lulzim Bashën, ja pasuria e tij

Arben Kraja u votua këtë të enjte si kreu i ri i SPAK. Karrierën e ka nisur në dhjetor të 1987 dhe deri në vitin 1992 ka qenë hetues në Shkodër. Karriera e tij vijoi me rritje në detyrë dhe gati tre dekada më pas, Arben Kraja është emëruar në krye të Prokurorisë së posaçme kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar (SPAK), një prej institucioneve më të rëndësishme e krijuar në kuadër të reformës në drejtësi.
Arben Kraja ka patur në dorë çështje të bujshme si ajo e hetimit të Lulzim Bashës për aferën e rrugës Durrës-Kukës, kur demokrati ishte ministër i Transportit. Ai ka përfaqësuar akuzën edhe në çështjen e gjyqtares Majlinda Andrea, e cila u dënua me shërbim prove për marrjen e një ryshfeti
Arben Kraja ka folur shkurtimisht pas zgjedhjes si kryetar i Prokurorisë së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kraja u dërgoi një mesazh qytetarëve duke kërkuar prej tyre që të kenë besim se të gjithë anëtarët e SPAK-ut do të bëjnë detyrën që kanë marrë përsipër.
I pyetur nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha se kush do duhet të frikësohet nga SPAK-u, Kraja u përgjigj: “Të kenë frikë ata që shkelin ligjin”. Arben Kraja theksoi se duhet një bashkëpunim më i madh me partnerët ndërkombëtarë për të ndryshuar opinionin negativ që ata kanë krijuar mbi institucionet shqiptare.
Por, çfarë pasurie zotëron Arben Kraja:
Të dhënat e analizuara nga BIRN tregojnë se prokurori Arben Kraja zotëronte pasuri me vlerë 3 milionë lekë në vitin 2003 – kur deklaroi për herë të parë pasurinë. Referuar deklaratës së vitit 2003, ai kishte një apartament 2+1 të blerë me kredi në vlerën e 2.5 milionë lekëve dhe një automjet tip Benz-Mercedez 190 me vlerë 500 mijë lekë. Në deklaratën e tij fillestare Kraja ka deklaruar gjithashtu një shtëpi 117 m2, me 542 m2 truall, për të cilën ai shkruan se është trashëguar dhe nuk jep një vlerë në lek.
Në fund të vitit 2017, pasuria familjare e prokurorit Kraja është 27.4 milionë lekë. Kraja ka regjistruar një rritje 9.2 herë të pasurisë bruto familjare nga viti 2003 deri në vitin 2017 – me një rritje mesatare vjetore prej 1.74 milionë lekë.
Gjitashtu në deklaratën e vitit 2004, subjekti Arben Kraja ka deklaruar një kontratë sipërmarrje për apartament banimi, por mungon çmimi i plotë i apartamentit, si vlerë është shënuar kësti vjetor që i është paguar shoqërisë së ndërtimit.
Me datë 02.10.2017, subjekti dhe bashkëshortja e tij kanë lidhur kontratë sipërmarrje për një apartament banimi në një kompleks pranë Gjirit të Lalzit, me vlerë 130.000 euro dhe kanë paguar vetëm këstin e parë prej 15.000 euro, ndërsa 115.000 euro janë detyrim ndaj shoqërisë së ndërtimit.