Thirrja e mjekut kosovar ndaj qytetarëve: Nuk është turp të jesh i infektuar, tregoni të vërtetën

Infektologu kosovar Valbon Krasniqi u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, të mos e fshehin nga të tjerët këtë fakt.
“Ekziston njëfarë tendencë për ta fshehur, sidomos nëpër lagje se janë të prekur, nuk duhet të ndodhë kjo, më mirë është t’ju tregojnë të gjithëve në mënyrë që të kenë kujdes e numri me të prekur të jetë më i vogël”, ka thënë Krasniqi.
“Nuk është turp të jesh i infektuar”, është shprehur ai.
Ai ka ndarë edhe disa raste që i kanë ndodhur atij personalisht.
“Ka pasur raste kur kanë ardhur në klinikë me simptoma të virusit, nuk kanë treguar që kanë pasur kontakt me të prekurit ose personat që kanë ardhur nga jashtë deri në momentin që është konstatuar që janë pozitiv”, ka deklaruar mjeku teksa u ka bërë thirrje që mos e fshehin, pasi kështu ia rrezikojnë jetën vetes, familjarëve, fqinjëve si edhe mjekëve të cilët po kujdesen për ta.
Krasniqi ka bërë thirrje që në supermarkete të shkojë vetëm një person nga familja dhe të kufizohen sa më shumë lëvizjet.