“Lufta” për 734 milionë euro? Pse konflikti për Koncesionin e Aeroportit të Vlorës mund të jetë “prishje pazaresh” mes dy miqve që dikur ishin të pandarë

Gazetarja Ola Xama ka reaguar sërish lidhur me konfliktin për koncensionin e Aeroportit të Vlorës, duke theksuar se bëhet fjalë më shumë për një përplasje interesash financiare, sesa për frikë nga financimi rus ashtu sikurse po përflitet gjerësisht kohëve të fundit.
Sipas saj, marrëveshjet për shitje aksionesh mes palëve, Mabco Construction të Behgjet Pacollit dhe 2A Group të Valon Ademit, janë bërë në shkelje të kontratës koncesionare, pasi nuk kanë marrë miratimin e nevojshëm nga Autoriteti Kontraktor.
“Kontrata koncesionare nuk lejon ndryshim të aksionerëve pa u marrë miratimi i Autoritetit Konktraktor dhe në këtë rast marrëveshja e shitjes së kuotave mes dy palëve (2A Group dhe Mabco Construction) nuk ka asnjë vlerë ligjore.
Nëse 2A Group ka investuar 22.8 milion euro siç pretendon dhe i takojnë 49% e aksioneve në këtë kontratë, duhet të ketë patur siguri nga autoritetet për këtë miratim sepse nuk ka përvojë në fushën e ndërtimit dhe menaxhimit të aeroporteve. (https://arbk.rks-gov.net/TableDetails të dhënat sipas ekstraktit të ARBK”, shkruan Xama, duke nënvizuar më tej se garancia për aftësi teknike dhe financiare është anashkaluar, ndërkohë që një marrëveshje huaje me kompani offshore, me pronësi ende të paqartë, ka kaluar pa verifikime nga institucionet përgjegjëse.
Xama ngre dyshime se përplasja aktuale lidhet me përfitimet e mëdha që sjell kontrata, rreth 734 milion euro për 35 vjet dhe jo me shqetësimet që po përfliten publikisht.
Ndërkohë ditën e djeshme gazetari nga Kosova, Berat Buzhala është shprehur se Ademi ka qenë iniciatori kryesor i përfshirjes së Behgjet Pacollit në projektin e Aeroportit të Vlorës, duke pasur rol qendror edhe pse publikisht është paraqitur më pak. Ai ka bërë me dije se Ademi dhe Pacolli, të cilët sot kanë përplasje, kanë bashkëpunuar ngushtë me njëri-tjetrin dhe kanë qenë të pandarë.
“Behgjet Pacolli nuk do të ishte pjesë e projektit po mos ishte Valon Ademi. Valon e ka inicuar projektin, e ka futur Behgjetin brenda. Leja ka qenë e Valonit. Valoni ka qenë lojtrar i vogël për publikun.
Unë i kam miq edhe Behgjetin edhe Valonin. Valon Ademin e njoh ka 15 vite. Ai ka punuar edhe në Kosovë edhe në Shqipëri, edhe shkollën e mesme dhe fillore e ka kryer në Shqipëri. Është një djalë i guximshëm në biznes. Ai më ka treguar se shumë kohë më parë e kam filluar biznesin që 21 vjeç. Të dy këta kanë qenë të pandashëm 5 vite. Patjetër, në Benghazi, të dy këta nuk janë ndarë kurrë. Kanë bashkëpunuar për shkak të progresit të punëve të Aeroportit të Vlorës”, tha Buzhala një ditë më parë në emisionin Opinion.
Postimi i Ola Xamës:
Përse konflikti për Koncesionin e Aeroportit të Vlorës ka më shumë gjasa të jetë “prishje pazaresh” se sa frikë për financim rus (siç pretendon njëra palë), apo mbrojtje e të drejtave të investitorit (që është pretendimi i palës tjetër)?!
1. Kontrata koncesionare nuk lejon ndryshim të aksionerëve pa u marrë miratimi i Autoritetit Konktraktor dhe në këtë rast marrëveshja e shitjes së kuotave mes dy palëve (2A Group dhe Mabco Construction) nuk ka asnjë vlerë ligjore. Nëse 2A Group ka investuar 22.8 milion euro siç pretendon dhe i takojnë 49% e aksioneve në këtë kontratë, duhet të ketë patur siguri nga autoritetet për këtë miratim sepse nuk ka përvojë në fushën e ndërtimit dhe menaxhimit të aeroporteve. (https://arbk.rks-gov.net/TableDetails të dhënat sipas ekstraktit të ARBK )
3. Edhe miratimi për shitjen e aksioneve nga turqit e YDA te kompania Mabco Construction është bërë në shkelje. Kjo duket qartë që të vendimi për miratimin e shitjes që ka bërë ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në paragrafin e fundit të shkresës thuhet se “koncesionari duhet të vazhdojë të garantojë aftësinë financiare, teknike dhe të operimit”. Pra, miratimi është bërë pa u garantuar vazhdimi i aftësisë teknike dhe financiare!
4. Marrëveshja e huasë mes Mabco Construction dhe Delphos Securities SARL ku lejohet aksesi në llogaritë e të ardhurave të shoqërisë koncesionare pa marrë miratimin e Autoritetit Konktraktor, është po ashtu një shkelje dhe kriter që Autoriteti Kontraktor ta konsiderojë shkelje të kontratës. Vënia në dijeni për këtë kredi duhet të vinte në lëvizje autoritetet e inteligjencës financiare në vend dhe jo të përfundonte në një luftë mediatike!
Dhe ajo që është më e rëndësishme:
5. Nëse paratë e dhëna hua janë ruse nuk e di askush. Delphos Securities rezulton e regjistruar në juridiksion offshore dhe pronarët e vërtetë nuk njihen. Por po supozojmë se këto janë para ruse. Pyetja kryesore që shtrohet është: a zhduket ky rrezik kontrolli që pretendohet në koncesionin e aeroportit nëse 2A Group merr 47% plus 2% (që i ka aktualisht) të aksioneve? Sërish kontrollin me 51% e ka Mabco Construction! Rreziku i financimit rus vazhdon…
Çfarë duhet të ndodhte në një situatë normale ku shteti zbaton rregullat dhe ligjet? Që në momentin që ndryshon pronësia dhe nga koncesioni del kompania kryesore që përmbushte kriteret teknike, institucionet duhet të kërkonin zëvendësimin e saj me një firmë të ngjashme që plotësonte të njëjtat kushte. Nëse kjo nuk ndodhte, prishej kontrata dhe duhej që gara të hapej nga e para!
Por siç pranon dhe vetë kompania 2A Group në akt-padinë e dorëzuar pranë autoriteteve të drejtësisë, fitimet e kontratës koncesionare janë të mëdha: 734 milion euro për 35 vjet, ose 21 milion euro në vit! Ndaj dhe lufta për disa aksione më shumë është e fortë.