“Makthi” i Veliajt çoi në SPAK edhe Albana Vokshin, deputetja i përgjigjet “Nesti Angonit”: Nuk kam frikë, sa më shumë të më sulmosh aq më e fortë do jem

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka kallëzimit të depozituar në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nga Nesti Angoni.
Përmes një postimi në “Facebook”, Vokshi shkruan se nuk ka frikë dhe do të vijojë të ngrejë zërin për padrejtësinë dhe vjedhjen që po i bëhet shtetit shqiptar.
“Ata, që këtë herë nuk guxuan as të dalin hapur, duhet ta mësojmë: Sa më shumë të më sulmojnë, aq më fort do të më dëgjojnë! As paraja, as Rama nuk i shpëton dot nga e vërteta”, shkruan Vokshi.
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, u denoncua në SPAK nga “Nesti Angoni”. Denoncuesi anonim, i cili më herët “fundosi” edhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn, ka depozituar në ditët e para të shtatorit në Prokurorinë e Posaçme denoncimin për Vokshin të cilën e akuzon për korrupsion dhe pastrimin e parave të fituara nga veprimtari të jashtëligjshme.
Në denoncim thuhet se kallëzimi me objekt deputeten Vokshi, bashkëjetuesin e saj Arian Tartarin, si dhe motrën Mimoza Vokshi, përmban disa raste të dyshuara korrupsioni dhe gjithashtu skemën, e cila përdorej për të “pastruar” paratë e fituara nëpërmjet veprimtarive korruptive të kryera nga ligjvënësja demokrate dhe familjarët e saj.
“Nesti Angoni” pretendon se deputetja demokrate është përfshirë në abuzime me koncesionet në sektorin e naftës, por edhe me disa privatizime të kryera në interes të të kallëzuarve, në kohën kur Drejtoreshë e Privatizimeve në Ministrinë e Ekonomisë ishte Mimoza Vokshi, motra e deputetes demokrate.
Postimi i Vokshit:
Nëse mendojnë se do të më mbyllin gojën me shpifje e letra anonime, gabohen!
Nëse mendojnë se do të më trembin me SPAK-un, gabohen!
Unë nuk hesht. Unë nuk dorëzohem. Do të flas edhe më fort!
Kundër korrupsionit.
Kundër padrejtësive.
Kundër abuzimit me pushtetin.
Ata, që këtë herë nuk guxuan as të dalin hapur, duhet ta mësojmë: Sa më shumë të më sulmojnë, aq më fort do të më dëgjojnë! As paraja, as Rama nuk i shpëton dot nga e vërteta!