“Shqiptarët nuk duhet t’i lejojnë politikanët ta dështojnë Vetingun”

Shefja e ONM, Genoveva Ruiz Calavera, në një intervistë televizive tha se krijimi i SPAK është një lajm i mirë, ndërsa procesi i Vettingut ka ende 600 dosje në përpunim.

Calavera thotë se përgjegjës për këtë proces janë të gjitha institucionet.

“Është e qartë që ky institucion do të jetë themelor për Shqipërinë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Pra, ky është një lajm shumë i mirë, deri tani” – thotë ajo për SPAK-un e sapokrijuar.

E pyetur për bllokimin e Gjykatës Kushtetuese, Cavalera pranon se situata është shqetësuese.

“Në situatën ku jemi sot, me një konflikt interpretimi për metodologjinë e emërimit, është një konflikt shumë serioz dhe prandaj Bashkimi Evropian ka kërkuar që në mënyrë që të kapërcehet ngërçi, zyrave të mira të Këshillit të Evropës, Komisionit të Venecias,t’i kërkohet të vijnë që t’i ndihmojnë palët ta kapërcejnë këtë ngërç”.

Shefja e ONM, e cila nuk shfaqet shumë shpesh në media pranon se e dinte prej fillimit që Vetingu do ishte proces i vështirë:

“Mund t’ju them se të gjithë prisnim që ky do të ishte një proces i vështirë, shumë kërkues, por të gjithë e dinim që kjo ishte diçka që populli shqiptar po e kërkonte. Ai donte të shihte shtetin ligjor, donte të rifitonte besimin te gjyqësori. Ndaj ndonëse e dinim që nuk do të ishte një proces i thjeshtë, jam shumë e lumtur që Bashkimi Evropian mund të kontribuojë për të. Dhe po ju them edhe një herë, sigurisht jemi në një situatë kur duhet ta përsërisim vazhdimisht, t’ua kujtojmë të gjithë shqiptarëve, se nuk duhet t’i lejojnë liderët, politikanët dhe institucionet e tyre që të mos kontribuojnë për t’u siguruar që ky proces të jetë i suksesshëm”.

Duke folur mbi ecurinë e procesit të Vetingut, Cavalera thotë:

“Mund t’ju them se është një proces shumë gjithëpërfshirës, shumë intensiv, por edhe një proces kompleks që kërkon një investim shumë të rëndësishëm nga institucionet e Vetingut. Ata po punojnë me shumë përkushtim dhe sigurisht po punojnë nën mbikëqyrjen e vëzhguesve ndërkombëtarë, të cilët kam kënaqësinë t’i drejtoj si Shefe e Zyrës së ONM-së.

Deri më tani, institucionet kanë arritur të rivlerësojnë 200 prokurorë dhe është e qartë se disa prej tyre kanë dhënë dorëheqjen në këtë proces ose janë tërhequr. Shumica e largimeve nga detyra kanë ndodhur për shkak të faktit se magjistratët nuk kanë mundur t’i justifikojnë pasuritë që kanë pasur në llogaritë e tyre. Por kemi ende shumë punë përpara. Janë rreth 600 dosje të tjera që duhen përpunuar. Kjo është një punë shumë e vështirë dhe sfiduese.

Megjithatë, unë kam shumë besim se institucionet kanë fituar shumë më tepër përvojë tani se si të procedojnë dhe do të bëjnë gjithçka që është e mundur që të sigurohen që të gjitha këto raste të përpunohen brenda afateve ligjore të vendosura në Kushtetutë. Por më lejoni të them diçka që është shumë e rëndësishme. Nuk janë vetëm institucionet e vetingut përgjegjëse për këtë. Kjo duhet të jetë një përparësi kryesore kombëtare, përparësi për të gjitha institucionet. Dhe janë shumë prej tyre që duhet të kontribuojnë në këtë proces. Nuk ka asnjë justifikim për të gjitha institucionet e tjera që duhet të sigurojnë mbështetje që të mos e bëjnë këtë me shpejtësi, shumë intensivisht, dhe nuk ka justifikim për bllokime apo pengesa në proces”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT