A duhet “mini-Shengen Ballkanik”, kur ekziston Procesi i Berlinit apo CEFTA?

Në 21 dhjetor të këtij viti, në Durrës pritet të mbahet takimi i tretë i të ashtuquajturit “mini Shengeni Ballkanik”, ku marrin pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Tre liderët ballkanikë, kryeministri shqiptar Edi Rama e ai maqedonas Zoran Zaev dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç u mblodhën më herët në Novi Sad dhe Ohër për të diskutuar për një marrëveshje, që sipas tyre do të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve në Ballkanin Perëndimor.
Por lënia jashtë e Kosovës dhe përfitimet reale të Shqipërisë nga ky bashkëpunim, ku nuk bën gjithashtu pjesë Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi, kanë hapur polemika të forta në Shqipëri mes analistëve dhe ekspertëve të ekonomisë, thote DW.
Termi “mini Shengen” është një eufemizëm i zgjedhur nga 3 shtetet pjesëmarrëse për një etiketë më joshëse për projektin e krijimit të “zonës së përbashkët ekonomike” Ballkaniko-Perëndimore, thotë ish-diplomati, Shaban Murati per Dojce vele. Normalisht liderët e tre shteteve nuk mblidhen çdo muaj në samit për të diskutuar kalimin kufitar midis tyre, sepse këtë u takon ta bëjnë nëpunësit e konsullores. Kjo ishte një nismë e presidentit serb, Vuçiç.
Sapo u zgjodh president, në një intervistë me portalin amerikan “Politico” në 6 prill 2017 ai ka deklaruar se projekti i tij ‘është Jugosllavia e vjetër, plus Shqipërinë”, sqaron Murati. Zbatimi i Mini Shengenit Ballkanik është konsideruar i dobishëm nga kryeministri shqiptar Rama, pasi sipas tij nuk do të ketë më dogana për njerëzit dhe se bizneset e kapitalet do të përfitojnë financiarisht. Por eksperti i ekonomisë, Ilir Ciko nuk sheh ndonjë përfitim të dukshëm për qytetarët shqiptarë. Ai është kritik ndaj nismave alternative, sepse ekziston një model që duhet ndjekur, CEFTA.
“Liritë themelore brenda rajonit tonë trajtohen më së miri nga Marrëveshja CEFTA, në të cilën të tre vendet nismëtare të mini Shengenit bëjnë pjesë. Mendoj se rruga e duhur për arritjen e lirive nis së pari nga ndërtimi i tyre brenda vetë vendeve, e më pas brenda rajonit përmes zbatimit të CEFTA-s, për të cilën të gjitha vendet kanë rënë dakord.
CEFTA është provuar si model i suksesshëm për integrimin rajonal dhe përgatitjen e vendeve për integrimin e vendeve në BE. Të gjitha vendet e ish-Europës Lindore e deri Bullgaria, Rumania e Kroacia kanë qenë pjesë e marrëveshjes deri në pranimin e tyre në Bashkimin Europian.”
Ilir Ciko druan, se përpjekjet për kanalizime alternative, selektive, në ndërtimin e lirive themelore në rajon, më shumë dëshmojnë pafuqinë e vendeve për të zbatuar një marrëveshje, e cila është promovuar nga ana e Bashkimit Europian si ndihmesë për përgatitjen e tyre për integrimin në BE.