Ivi Kaso: Fajin na e ka Bajram Begaj, të nisim procedurat ta shkarkojmë

Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ka deklaruar se seanca e fundit parlamentare, ku u betuan ministrat e rinj të kabinetit qeveritar, ishte një veprim i paramenduar dhe i ndërtuar sipas një skenari të qartë politik nga kryeministri Edi Rama.
Në një mbledhje me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të PD-së, Kaso tha se mesazhet e para të Ramës në sallë, brenda tre minutave të hapjes së seancës, paralajmëruan zhvillimet që do pasonin.
Nga diskutimet brenda grupit të siguruara, Ivi Kaso ka hedhur edhe idenë e nisjes së procedurave për shkarkimin e presidentit, Bajram Begaj, pasi sipas tij ai është strumbullari i sencës së tensionuar.
“Seancën e sotme Rama e kishte të paramenduar. Mesazhet e shkurtra të tij në 3 min e para, ishin mesazhe që paralajmëronin çfarë do ndodhte. Pastaj nxori Diellën për provokim. Ishte me skenar e gjitha. Mesazhi ishte i qartë i Ramës: Unë nuk pyes për parlamentin dhe për asnjeri. Kësaj situate sigurisht që duhet t’i përgjigjemi me një reagim, por reagimi nuk duhet të jetë emocional.
Një protestë e vogël dhe e organizuar shpejt, një protestë pa fuqi më shumë na dëmton sesa na jep njëfarë avantazhi në raport me atë çfarë presin njerëzit dhe në raport me gravitetin e situatës. Një protestë e vogël do përdorej nga Rama dhe do demoralizonte njerëz. Mirë do ishte që të ndërthureshin një sër gjestesh, edhe gjeste politike siç është kërkesa për përsëritjen e seancës, siç është edhe mocioni i shkarkimit të Peleshit.
Një ide tjetër mund të jetë edhe nisja e procedurës për shkarkim e presidentit, pasi Rama duke përdorur atë ka prishur balancat e pushtetit. Strumbullari i seancës së sotme është Bajram Begaj, me dekretimin që i bëri Diellës, të cilën ia la nën përgjegjësi Ramës.
Prandaj ne duhet t’i japim një mesazh atij se nuk do e tolerojmë më. Roli i presidentit sot nuk është respektim i Kushtetutës, por zgjatim i kryeministrit. Ta nisim procedurën për shkarkimin e Presidentit, siç e parashikon edhe Kushtetuta, dhe ne i kemi numrat prej 35 deputetësh”, tha ai.