Në këtë vend po të shkau pak këmba, të gjithë të fusin shkelmin

Nga Namir Lapardhaja
Për të kuptuar se çfarë shoqërie e frustruar që jemi, mjafton të shohësh reagimet e rrjeteve sociale dhe portaleve, kur personave të njohur publik, për arsye të ndryshme, u rrëshket këmba.
Ndërkohë që të gjithë do të ëndërronin sukseset, askush nuk stepet përballë dështimeve apo gabimeve të tyre.
Meqë na doli në shteg, nga jemi e tek jemi, se i futëm edhe ne një shkelm, nuk është ndonjë hata e madhe.
Nuk e kam vetëm me rastin e freskët të Çilit, por, në përgjithësi, ndaj kujtdo që diferencohet nga masa e gjerë në një mënyrë ose një tjetër.
Është kjo shumësi dembelësh dhe sharës kolektiv, që ushqehet vetëm nga oksigjeni i dështimeve të të tjerëve dhe nuk mendojnë se si të ndërtojë diçka të tyren, për të cilën të krenohen dhe me të cilën të ndihen të plotësuar.
Henri Çili është një personazh i njohur publik për të cilin qarkullojnë mite dhe legjenda, thashetheme dhe trillime, të pavërteta dhe të vërteta.
Ai njihet për akrobacitë e tij të shpeshta politike, në rotacionin e pushtetit të vitit 2013, nga një mbrojtës i zjarrtë i ish-mazhorancës së djathtë, ai u gdhi në ideator dhe promovues i kryeministrit Rama, duke e shpallur atë, madje, edhe “Njeri të vitit”.
Besoj që ai është i vetëdijshëm se kredencialet dhe besueshmëria e tij publike është në nivele të ulta.
Problemi madhor është se në këtë vend ke andrralla me drejtësinë vetëm në dy raste: kur je në opozitë me pushtetin dhe kur ke probleme financiare.
Me ç’duket, në këto momente, Çili i ka të dyja. Pavarësisht situatës dhe kontekstit të ngjarjes, duke ruajtur prezumimin e pafajësisë ndaj kujtdo, derisa gjykata të shprehet në mënyrë të qartë, dyshimet ngelen përderisa, çuditërisht, në këtë vend gabojnë dhe “mëkatojnë” vetëm kundërshtarët e qeverisë dhe askush tjetër.