Ia vranë të birin në qendër të Shkodrës, babai paralajmëron hakmarrje edhe ndaj Policisë: Do marr një bombë e do t’ia hedh

Babai i 34-vjeçarit, Kristian Kola, i cili u ekzekutua mbrëmjen e 3 shtatorit në Shkodër, ka folur ekskluzivisht për Top Channel ku dhe ka hedhur akuza të forta ndaj kupolës së Policisë në qytetin verior të Shqipërisë.
Duke paralajmëruar hapur hakmarrje, zoti Kola u shpreh se do të marrë hak dhe do të vrasë atë që i ekzekutoi me breshëri plumbash të birin.
Me zë dhe figurë, babai i 34-vjeçarit shprehu revoltën e tij edhe ndaj bluve të Shkodrës duke pohuar se ata nuk e lejuan ta shihnin të birin dhe për këtë arsye është i gatshëm të marrë hak edhe ndaj tyre.
Një apel ai e ka pasur edhe për qeverinë të cilët sipas tij duhet të reagojnë menjëherë dhe të shkarkojnë nga themelet të gjithë strukturën e Policisë Vendore të Shkodrës.
“Nëse më del përpara personi ne karkaleca më ka vrarë djalin e vras. Unë personalisht marr hak, unë do të marr hak. Edhe nëqoftëse nuk e marr hak, do t’ia marr te gjithë ata policë që nuk më kanë lënë të hy brenda. Unë e kam gjithë mundësinë të kem një bombë e marr e hedh.
Unë nuk kam frikë, se kam punuar ne ndershmëri gjithë jetën. Nuk i druhem askujt dhe nuk ja kam frikën. Apeli im për Shkodrën është të hiqet policia e Shkodrës me themele. Këtu ekzistojnë njerëzit që vrasin me pagesë, nëse nuk është i fuqishëm shteti për ti hequr, nëse s’janë të aftë le të dalim në luftë civile”, tha Kola.
Më herët lidhur me këtë ngjarje foli edhe motra e 34-vjeçarit, Mariza Kola e cila bëri me dije se babai i tyre nuk u lejua të shihte trupin e Kristian Kolës kur u transportua, ndërsa ambulanca mbërriti me vonesë në vendin e ngjarjes.
“Është punë e policisë të gjejë autorët dhe të zbardhë çfarë ka ndodhur. Por unë dyshoj që policia është e implikuar në këtë krim. Dua vetëm drejtësi”, përfundoi ajo.
Familja e Kristian Kolës kërkon drejtësi dhe përgjigje për rrethanat e vrasjes së 34-vjeçarit, ndërsa hetimet për zbardhjen e ngjarjes vijojnë.