Mjeku imazherist tregon eksperiencën: Si e shëruam nga koronavirusi pacientin me kancer në mushkëri

Mjeku Renato Osmenaj, në një lidhje të drejtpërdrejtë me gazetaren Nisida Tufa në “News 24” deklaroi se koronavirusi ka fuqi shkatërruese, sidomos për mushkëritë.
Renato Osmenaj ka treguar sesi kanë shëruar nga koronavirusi një pacient me kancer në mushkëri, ndërsa tha se beson që Covid-19 ka hyrë në Shqipëri në fund të shkurtit.
“Kemi shëruar edhe persona që kishin koronavirus dhe bashkë me të edhe kancer në mushkëri. Ky është rasti i tretë i kancerit të mushkërive që kemi shëruar nga Covid-19. Në botën perëndimore, janë zgjedhur të sëmurët që do të hospitalizohen. Nuk janë shëruar nga Zoti, por nga doktorët. I kanë shëruar doktorët, me ndihmën e Zotit. Unë besoj se Covid-19 në Shqipëri ka hyrë në fund të shkurtit. Mua më është raportuar se ka pasur vdekje në spitale private më 25 shkurt, e mjekët nuk e kanë kuptuar nga se ka ndërruar jetë. Gjendja tani është shumë më e mirë. Jemi ambjentuar me virusin. Në Shqipëri ka grupe popullatash që nuk preken nga koronavirusi. Shqiptarët janë njerëz me imunitet. Ky virus ngjan me tumoret. Duhen marrë masa dhe e dyta është diagnostikimi sa më i hershëm. Virusi nuk vret, nëse qëndrojmë gjallë e jo të fjetur”, u shpreh Osmenaj.