‘Bio’ vetëm në letër! Si e mashtruan fermerët grekë qeverinë e tyre

Katër vite më parë, qeveria greke prezantoi një program mbështetës për fermerët që zgjidhnin të prodhonin bio. Ata përfitonin ulje taksash, tvsh zero, ose të reduktuar dhe subvencione të majme nga qeveria greke dhe nga Bashkimi Europian për prodhimet e kultivuara vetëm organikisht.
Mbështetja financiare shpërndahej me mirëbesim për të kompensuar humbjet që kishin fermerët, për shkak se rruga organike kërkon kosto më të lartë dhe jep prodhim më të vogël.
Programi i qeverisë u interpretua si histori suksesi. Brenda vitit të parë, sipërfaqet e prodhuesve bio u rritën dhe në fund të 2024 Greqia kishte, të paktën në letra 17 për qind të tokës së saj të kultivuar me prodhime organike, pa pesticide dhe plehëra kimike.
Por, hetimi i nisur nga autoritetet e Bashkimit Europian në lidhje me një skemë korrupsioni galopant me fondet e Brukselit për fermerët zbuloi se edhe prodhimet greke bio ishin vetëm në letër.
Në realitet, produktet që hidheshin në treg si organike nuk ishin të tilla.
Hetimi i Brukselit zbuloi se shumë fermerë në Greqi janë regjistruar në skemën mbështetëse për prodhimet organike vetëm për të përfituar nga fondet që shpërndaheshin nga qeveria, ndërsa në realitet kanë vijuar me rritjen e produkteve të tyre duke përdorur normalisht plehrat kimike, por edhe pesticidet.
©Copyright Vox News