A e vranë ushtarët e Nuredin Dumanit deputetin socialist Fatmir Xhindi?!

Përplasja e ushtarëve të vrasësit me pagesë Nuredin Dumani në sallën e gjyqit ka hedhur për herë të parë dritë mbi vrasjen e deputetit socialist Fatmir Xhindi në derën e shtëpisë.
Petrit Qoli, i akuzuar për veprën penale “Vrasje me paramendim”, si i përfshirë në dosjen “Plumbi i Artë”, ka qenë bashkëpunëtor i Nuredin Dumanit dhe sot në sallën e gjyqit ka tronditur me pyetjen që i ka drejtuar ushtarit tjetër të vrasësit me pagesë, Skerdi Tase.
“Mos jeni ju personi që keni qëlluar ndaj deputetin Fatmir Xhindi? Sepse ju keni thënë që të gjithë personat i keni qëlluar kanë qenë në 5m distancë, dhe Xhindi është vrarë nga kaq distancë”, ka pyetur Petrit Qoli, duke tronditur sallën e gjyqit?
Më tej, ai ka vazhduar pyetjen: “A shihni mirë nga sytë afër-larg, se unë për shembull nuk shoh as afër as larg, dhe asnjëherë s’keni qëlluar në shenjë, si ka mundësi?”
Pyetjet e të akuzuarit Petrit Qoli ndaj bashkëpunëtorit tjetër të Nuredin Dumanit kanë mbetur pa përgjigje, sepse trupa e Gjykatës së Posaçme ka ndërhyrë menjëherë duke ndaluar Skerdi Tasen të japë përgjigje. Ky episod shton dhe më tej misterin për vrasjen e deputetit socialist.
Fatmir Xhindi u vra më 2 maj 2009 jashtë shtëpisë së tij në Roskovec nga persona ende të pandëshkuar nga drejtësia. Rrugën e tij e ndoqi djali më i madh, Andueli i cili përfaqësoi Partinë Socialiste në disa legjislatura.