Vendimi për rrjetin 5G, Shqipëria zgjedh mes SHBA dhe Kinës

Qeveria shqiptare ka miratuar në parim memorandumin e mirëkuptimit me qeverinë amerikane për sigurinë 4G dhe 5G.

Në vendimin e miratuar nga qeveria shqiptare nuk jepen detaje për shkak se e klasifikuan si “çështje të sigurisë kombëtare”, por theksohet se “me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave ka miratuar memorandumin me SHBA-në”.

Në muajt e fundit pati debat për rrjetin 5G.

SHBA-ja në të gjithë Europën ka bërë një fushatë kundër teknologjisë kineze ne fushën e telekomunikacionit, veçanërisht kundër kompanisë kineze Huawei.

Në Shqipëri rastisi që fushata koincidoi me lancimin e rrjetit 5G nga një operator privat.

Ambasada amerikane në mënyrë të vazhdueshme e ka shprehur shqetësimin që të mos lidhet marrëveshje me kompani kineze nga ana e operatorëve shqiptarë.

Pak javë më parë e ngarkuara me punë e SHBA-së Tiranë Leyla Moses-Ones deklaroi në konferencën ‘Demokracia përballë rrezikut të teknologjisë’ se Shqipëria është e palëkundur në partneritetin me Amerikën duke ua bërë të qartë disa vendeve, referuar Rusisë apo Kinës, se disa gjëra nuk janë në shitje.

Ndërkohë që ish këshilltari për Sigurinë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ish-Komandanti Suprem i Forcave të NATO-s në Europë James Jones e kishte të drejtpërdrejtë mesazhin për autoritetet shqiptare sa i përket rrjetit 5G kur tha se liderët shqiptar duhet të bëjnë zgjedhjen e tyre.

E cila u bë.

Këtë të mërkurë qeveria ka firmosur marrëveshjen në parim me SHBA-në për rrjetin 5G.

V E N D I M për

MIRATIMIN, NË PARIM, TË MEMORANDUMIT TË MIRËKUPTIMIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE QEVERISË SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS, PËR SIGURINË 4G DHE 5G

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave.

V E N D O S I:

Miratimin, në parim, të memorandumit të mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për sigurinë 4G dhe 5G, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

l.h/dita

Back to top button
LAJMET E FUNDIT