Rënia e fuqisë së “Mercron” në Ballkan dhe kryeneçësia e Haradinajt

Nga Matthew Karnitschnig
Emmanuel Macron po humbiste durimin. Pasi u përpoq për orë të tëra (dhe nuk ia doli mbanë) të merrte Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj me të mira, në mënyrë që ai të pranonte një kompromis për zgjidhjen e ngërçit me Serbinë, Presidenti francez vendosi të tregohet i hapur siç e ka zakon.
“Ti nuk je në gjendje të bësh asnjë kërkesë”, besohet t’i ketë thënë Makron Haradinajt me zë të lartë, ndërkohë që një grup tjetër udhëheqësish të rajonit kishin kthyer kokat. Kjo përballje është dëshmuar nga dy persona të cituar nga portali Politico.
Javën e shkuar, Makron vizitoi kryeqytetin gjerman për të kryesuar samitin e Ballkanit Perëndimor, në krah të kancelares Angela Merkel. Ky samit kishte si objektiv rinisjen e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Si Makron ashtu edhe Merkel ishin të frustruar nga dështimi i Bashkimit Evropian për t’ia dalë mbanë këtij qëllimi dhe për të zbutur tensionet. Në fund, ata vendosën të marrin situatën në dorë. Por duke u gdhirë e marta, me siguri si Makron ashtu edhe Merkel u penduan për një vendim të tillë. Në vend që të arrinin një zgjidhje të mosmarrëveshjeve, ata pa dashur nxorën në pah diplomacinë jo funksionale të Bashkimit Evropian.
Tensionet mes fqinjëve ballkanas u rindezën menjëherë pasi Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia, rriti me 100 % taksën doganore për produktet e importuara nga Serbia, duke iu përgjigjur kështu përpjekjeve të Beogradit për të bllokuar njohjet e mëtejshme të Prishtinës.
Serbia e bëri mjaft të qartë se nuk do të ishte pjesë e një dialogu të sponsorizuar nga Bashkimi Evropian deri sa Kosova të eliminonte tarifat doganore.
Në vazhdën e kësaj klime, asnjëra prej palëve nuk dukej se do të hiqte dorë nga e vetja, duke ngritur pikëpyetje të thella mes diplomatëve pjesëmarrës në lidhje me vazhdimësinë e samitit.
Takime të tilla të nivelit të lartë janë shpesh çështje koreografie. Për muaj të tërë, diplomatët përveshin mëngët e punojnë fort për të negociuar kornizën e një marrëveshjeje, të cilat më pas i dorëzohen udhëheqësve të lartë për një prekje përfundimtare të dokumentit në fjalë.
Në shumë raste, ajo që ndodh është se vendet e mëdha i përdorin samite të tilla si një shtysë për të arritur kompromise, ndërsa përfaqësuesit e vendeve të vogla marrin vëmendjen ndërkombëtare që e lakmojnë kaq shumë, shkruan politico.eu.
Në rastin e Berlinit, pjesëmarrësit nuk i dolën të binin dakord as një konkluzionet bazë që qarkulluan disa ditë para takimit si në Berlin ashtu edhe në Paris. Pavarësisht mosmarrëveshjeve, si Makron ashtu edhe Merkel shpresuan që të përdornin si shembull marrëveshjen e arritur mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut për të arritur diçka të ngjashme mes Serbisë dhe Kosovës.
Zhgënjimi ishte i thellë. Samiti, ku morën pjesë liderët e Shqipërisë, Bosnie Hercegovinës, Kroacisë dhe Maqedonisë së Veriut për të diskutuar për aspiratat e vendeve në BE, u mbyt shumë shpejt në moçalin e ngritur mes Serbisë dhe Kosovës.
Kjo situatë u dha zë kritikave sipas të cilave, diplomacia e dorës së rëndë e Berlinit dhe Parisit i kishte përkeqësuar shumë gjërat.
‘Mogherini ishte i vetmi njeri i kënaqur,” i tha Politikos një pjesëmarrës në samit, duke iu referuar Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini.
Mbajtja e samitit jashtë mbështetjes së Bashkimit Europian u konsiderua një përpjekje efikase e Francës dhe Gjermanisë për të lënë Bashkimin Evropian në prapaskenë. Sigurisht që Mogherini ishte e ftuar në samit. Ajo erdhi e buzëqeshur dhe e nxirë pas pushimeve për Pashkë, megjithatë roli i saj në samit ishte i vogël.
Kritikët e saj thonë se gjatë gjithë mandatit që nisi në vitin 2014, zonja italiane ishte pak e vëmendshme ndaj Ballkanit dhe u kujtua për të me vonesë teksa rajoni është pika kryesore e vëmendjes së Fuqive të Mëdha siç janë Kina dhe Rusia të cilat po përpiqen të ushtrojnë influencën e tyre në rajon.
Kritikat ndaj Mogherinit janë shumë të forta mbi paaftësinë e saj për të zgjidhur ngërçin mes Kosovës dhe Serbisë, pas disa muajsh përpjekjeje. Përpos të tjerave, Mogherini besohet të ketë nxitur probleme të tjera duke mbështetur planin e shkëmbimit të territoreve mes dy vendeve. Kjo ide ka gjetur një lloj mbështetjeje si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë, por Merkel e kundërshton atë me argumentin se një gjë e tillë do të vendoste një precedent të rrezikshëm në rajonin e Ballkanit, të njohur për historinë e errët të spastrimit etnik.
Franca nga ana tjetër ka mbajtur qëndrime të dykuptimta në lidhje me idenë e shkëmbimit të territoreve.
Përpara samitit, Makron u tha gazetarëve se nuk do të përpiqej të imponojë zgjidhje tek palët por tha që në samit nuk do të kishte asnjë tabu.
Zyra e tij e shtypit në Pallatin Elysée refuzoi të komentonte mbi çështjen e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
Një samit i dalë jashtë binarëve
Samiti doli jashtë binarëve menjëherë sa nisi. Delegacioni i Kosovës ishte i ndarë. Presidenti Hashim Thaçi tha se do të mbështeste një lloj marrëveshje, por shtoi se çështja e taksës ishte kompetencë e rivalit të tij politik, Haradinaj. Ky i fundit, një ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e bëri shumë të qartë se qeveria e tij nuk do të hiqte taksën deri sa Serbia të njohë zyrtarisht pavarësinë e saj.
Gjatë një pushimi të shkurtër, ndërsa udhëheqësit e tjerë dolën të shijonin pamjen nga ballkonet e ndërtesës, Merkel dhe Makron e morën Haradinajn mënjanë.
Ata e nxitën Haradinajn të heqë taksën të paktën për 6 muaj që të mundësojë ecjen përpara të negociatave, duke mbajtur si asi nën mëngë, mundësinë e udhëtimit pa viza të shtetasve të Kosovës drejt vendeve të Shengenit.
Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, megjithatë ka disa vende të cilat hezitojnë të japin aprovimin përfundimtar.
Haradinaj, sipas Politiko, nuk lëshoi pe.
“Unë kërkoj njohjen nga ana e Serbisë,” besohet të ketë thënë Haradinaj sipas një dëshmitari të pranishëm.
“Kryeneçësia e Haradinaj gëzon shumë mbështetje në Kosovë”. Shumë prej vëzhguesve të kësaj çështjeje beson se nëse Serbia do të pranonte njohjen e Kosovës, do të fitonte çmimin e madh të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Sipas Politiko, gjatë këtij takimi kokë më kokë, Merkel i ka folur Haradinajt mbi rëndësinë e një kompromisi por edhe të durimit, duke i kujtuar atij shembullin e bashkimit të Gjermanisë, që mendohej e pamundur.
Haradinaj i është përgjigjur duke thënë se nuk dëshiron të presë 20 vjet. Më pas ishte radha e Makron. Ai e tërhoqi Haradinajn mënjanë dhe folën në frëngjisht. Kryeministri kosovar flet rrjedhshëm frëngjisht pas eksperiencës së tij në Zvicër në vitet 90′.
Gjatë bisedës, Haradinaj nuk lëshoi pe dhe këmbënguli që Serbia të njohë Kosovën në fillim e më pas të tjerat. Merkel dhe Makron e kuptuan që kjo rrugë nuk do t’i shpjerë askund dhe vendosën të shtyjnë takimin.
Zyra për shtyp e Merkelit nxori një deklaratë të përbashkët ku thuhej se Serbia dhe Kosova kanë rënë dakord që të punojnë në mënyrë “konstruktive” për të normalizuar marrëdhëniet e tyre.
Ah sikur!
Deklarata sidoqoftë nuk thoshte asnjë fjalë për rinisjen e dialogut tashmë të ngrirë mes dy palëve. Një nga arsyet më madhore është se kryeneçësia e kryeministrit kosovar gëzon shumë mbështetje në vendin e tij.
Milan Nic, një analist në Këshillin Gjerman Mbi Marrëdhëniet me Jashtë thonë se pikërisht kjo kryeneçësi e ka bërë Haradinajn shumë popullor në vend.
Pyetja qëndron se për sa kohë do të vazhdojë Haradinaj të mbetet i tillë.
Qëllimi i Merkelit dhe Makronit është që ta detyrojnë Haradinajn të bëjë hapa mbrapa. Për këtë arsye ata kanë vendosur një takim tjetër me palët në fillim të Korrikut në Paris.
Përveç Bashkimit Evropian, edhe Shtetet e Bashkuara i kanë bërë presion Kosovës që të heqë taksën doganore. Përpara samitit, delegacioni i Kosovës u takua me Ambasadorin Amerikan në Gjermani, Riçard Grenell i cili përsëriti të njëjtin mesazh.
E vetmja çështje për të cilën politikanët Kosovarë duket se bien dakord është tek përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në negociata dhe në proces. Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket se anojnë më shumë në favor të shkëmbimit të territoreve, përsa kohë vendimi merret nga vetë palët.
Në të shkuarën, kjo ide ka gëzuar mbështetjen e Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaçit, ndonëse deri më tani të dy kanë folur me dy kuptime e kanë bërë deklarata të paqarta. Haradinaj, i cili kundërshton çdo lloj ndryshimi në territore tha se kjo çështje nuk u diskutua në samit. Pjesëmarrës të tjerë në samit, thanë se kjo nuk ishte e vërtetë.
Gjatë vizitës në Berlin, Hashim Thaçi deklaroi për mediat se ” nuk do të ketë as dialog, as negociatë e as marrëveshje pa praninë e Shteteve të Bashkuara.” Sipas tij : ” kur vjen puna tek kjo çështje, Bashkimi Evropian nuk është më i bashkuar./ politico.eu