Parlamenti grek ‘vulos’ marrëveshjen, njihen patentat shqiptare

Parlamenti grek ratifikoi sot marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit mes Shqipërisë dhe Greqisë, pas marrëveshjes së firmosur që në 11 maj 2018.

Lajmin e ka bërë të ditur ish-ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati me anë të një postimi në Facebook.

Kjo do të thotë se me një patentë shqiptare mund të udhëtohet lehtësisht në Greqi, pa dashur të marrësh patentë ndërkombëtare, dhe anasjelltas edhe për grekët që vijnë në Shqipëri.

Kjo vlen për të gjithë ata shqiptarë që udhëtojnë përkohësisht drejt Greqisë për arsye familjare, pune apo pushime.

Kjo marrëveshje pason marrëveshjen për përdorimin e toponimeve në dokumentet e udhëtimit, heqjen e rezervës për përdorimin e vulës apostile për dokumentet, si dhe regjistrimin pranë zyrave konsullore të fëmijëve shqiptarë të lindur në Greqi nga një ose dy prindërit që nuk kanë leje qëndrimi të rregullt.

“Të dashur motra dhe vëllezër,

Parlamenti grek sapo ratifikoi marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit mes Shqipërisë dhe Greqisë. Megjithëse një hap i vonuar, ky është një lajm i mirë pasi marrëveshja e firmosur që në 11 maj 2018, pjesë e paketës së çështjeve të pazgjidhura Shqipëri-Greqi, i vjen në ndihmë shtetasve shqiptarë dhe grekë.

Marrëveshja lehtëson jetën e qytetarëve, shmang sorollatjen nëpër zyra, harxhimin e kohës dhe parave.

Rreth 700 euro kursejnë qytetarët, të cilët nuk do të kenë nevojë që të kryerjnë nga e para procedurat për t’u pajisur me leje drejtimi”, shkruan ndër të tjera Bushati.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT