Lideri i Iranit “kërcënon” Shqipërinë: Vend i vogël djallëzor, në shërbim të SHBA

Kërcënimet ndaj SHBA-së të lëshuara nga udhëheqësit e Iranit kanë prekur edhe Shqipërinë. Media iraniane në gjuhen shqipe “Pars Today”, në një artikull të publikuar sot për fjalimin e liderit të Iranit Ajetollah Khamenei, citon një deklaratë të tij që i referohet Shqipërisë dhe strehimit të muxhahedinëve në vendin tonë.
Në fjalën e tij duke u fokusuar për teoritë e komplotit, në mënyrë indirekte Khamenei ka përmendur edhe Shqipërinë.
“Në çështjen e sigurisë, përpara ngjarjeve të muajit të kaluar në një vend të vogël dhe djallëzor europian, një element i Amerikës me disa iranianë mercenarë dhe tradhtarë që kanë shitur atdheun e tyre, ka bërë programe kundër Iranit. Plani ishte ajo që ne vumë re disa ditë më vonë në çështjen e naftës. Domethënë populli ishte i hidhëruar për çështjen e naftës dhe këtë e keqshfrytëzuan dashakeqët dhe armiqtë që u futën në veprim, dmth. prishën, dogjën dhe nisën luftë. Ky ishte plani i tyre i mëparshëm”, citon agjencia iraniane.
Në fjalimin e tij, lideri suprem i Iranit duke folur mbi sulmin raketor të Iranit mbi bazën amerikane Ajnul Asad deklaroi se kjo ishte vetëm një shuplakë, por prania keqbërëse e SHBA-ve në rajon duhet ndaluar. Sipas një raporti të agjencisë ISNA të lajmeve, Ajetollah Khamenei lideri suprem i Revolucionit Islamik, pati një takim me mijëra banorë të qytetit Kum. Ai sulmin me raketa ndaj dy bazave amerikane në Irak, e quajti vetëm një shuplakë dhe theksoi se përballja kryesore duhet të jetë në anën e dhënies fund të së keqes shkatërruese dhe destruktive të Amerikës në rajon.
Në Shqipëri janë strehuar rreth 3 mijë iranianë, muxhahedinë të MEK. Tirana zyrtare i ka strehuar në një kamp të veçantë në zonën e Gjirit të Lalëzit dhe se prej vitesh ato jetojnë e punojnë. Iranianët u zhvendosën nga kampi Ashraf në Irak, në kufi me Iranin dhe se për t’i ikur kërcënimeve u zhvendosën në Ballkan.
Shqipëria pranoi këtë numër të lartë pas kërkesës së bërë nga ana e qeverisë amerikane. Irani ka kërcënuar se do t’i kundërpërgjigjet SHBA, por edhe aletatëve të tyre, e kjo deklaratë e lëshuar së fundmi mund të shihet edhe si një kërcënim për Shqipërinë, e cila ka mbështetur sulmin e trupave amerikane që eliminuan komandantin e Gardës së Iranit, Kasem Sulejmani.