Regjisori Gentian Koçi: E dua këtë qytet, por më shqetëson egërsia në sytë e njerëzve

Ka një lloj dhune urbane, që nuk shfaqet domosdoshmërisht në akte fizike apo në ofendime verbale, dhe që për rrjedhojë rrallëherë përbën lajm, ndonëse na përndjek në jetët tona të përditshme: te mënyra si flasim me njëri-tjetrin, arroganca, mënyra si sillemi në trafik apo si nxitojmë përmes turmës, duke parë me egërsi njerëz nuk të panjohur që nuk na kanë bërë asgjë.

Gjatë një momenti të sinqertë reflektimi në episodin e 31-të të Apostrof Podcast, regjisori Gentian Koçi – i njohur tashmë për një stil mjaft të vetpërmbajtur kinematografik – e “kthen kamerën” jo drejt personazheve të tij, por drejt Tiranës, qytetit ku është rritur dhe që thotë se e dashuron.

“Shoh në sytë e njerëzve egërsi, egërsia e njerëzve në raport me ty… Sigurisht që unë e kuptoj. Mund të jap një përgjigje patjetër, sepse Tirana është bërë qytet shumë i egër, vendet e punës janë të pakëta, pagesa është shumë e ulët në raport me përballimin e jetesës, në njëfarë mënyre edhe njerëzit duan të pasurohen shpejt dhe në momentin kur pasurohen, pastaj krijojnë një lloj arrogance të çuditshme.”

Megjithatë, ajo çka duket se e shqetëson më tepër se sa pasurimi i shpejtë i një numri të vogël njerëzish dhe arroganca që e pason atë, janë pasojat emocionale që mbeten në shpirtrat e atyre, të cilët nuk arrijnë të arratisen nga ky cikël.

“Në fund të ditës, je i lodhur, shkon në shtëpi, por duhet të bësh një analizë me veten tënde dhe të thuash: prit një sekondë, çfarë bëra unë sot? Me sa njerëz u tregova agresiv? Dhe kur them agresiv nuk e kam fjalën tek ofendimet, por edhe në një komunikim të përditshëm. Mua kjo më shqetëson.”

Pyetja që Koçi lë të kuptohet është: Në çfarë njerëzish na ka shndërruar ky presion i vazhdueshëm?

Është një moment që vjen gati-gati papritur gjatë episodit të kësaj jave të Apostrof Podcast, por që përshkon të gjithë bisedën në lidhje me artin dhe etikën, pasi është diçka mjaft e njohur për të gjithë ne. Është një ndjesi, që kap atë çfarë pak njerëz gjejnë kurajon për ta thënë kaq qartë se, dëmi i vërtetë nuk është gjithmonë strukturor, por edhe pasojë e marrëdhënieve tona të përditshme dhe se, edhe ata nga ne që mendojnë se nuk bëjnë asgjë të gabuar, hera-herës tregohemi të pasjellshëm dhe agresivë pa e kuptuar as vetë.

Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: https://youtu.be/wNI-_qxMaGw

Back to top button
LAJMET E FUNDIT