Demokracia nënkupton dashuri dhe respekt ndaj Atdheut!

Faik KRASNIQI
Ndjenja kombëtare (nacionalizmi) është ajo që i mungon demokracisë shqiptare! Nuk mund të ketë demokraci aty ku nuk ka kult pune ( e puna sjellë të ardhurat për vet njeriun (individin), familjen e tij dhe shtetin, aty ku nuk ka dashuri ndaj kombit të vet, respekt dhe gatishmëri sakrifice për shtetin, respekt, përulje dhe në daç edhe frikë nga ligjet ( Kushtetuta ) e Shtetit!
Dhjetëra e dhjetëra parti politike (siç janë në Shqipëri dhe në Kosovë) nuk dëshmojnë begatinë shumëpartiake dhe shumëllojshme e mendimeve(cilësore), përkundrazi ato dëshmojnë varfërinë e mendimeve dhe ideve dhe etjen e njerëzve për pushtet e jo dashurinë për shtetin!
Shqiptarët para se të mësojnë demokracinë është dashur të mësojnë diçka më tepër për kombin, historinë e tij, ta krijojnë ndjenjën e atdhedashurisë e pastaj do ta kishin më lehtë të përballen me demokracinë. Demokracia është liri për individin, por edhe respekt për tjetrin(për fqinj, bashkëkombësin, qoftë ai edhe i mendimit ndryshe, pra i një partie tjetër) dhe përulje ndaj ligjeve të vendit, pra Shtetit.
Edhe ajo ndjenjë kombëtare, sado e hollë, e mbetur, nga robërimi gjatë shekujve, u fshi nga truri i shqiptarëve në kohën komuniste dhe ja tani se çfarë demokracie bëjnë ata, demokraci për faqe të zezë, urrejtje e pamasë ndaj tjetrit dhe Shtetit.
E, sa për kultin e punës, ai as që ekziston mes shqiptarëve. Nuk ka bimë që kultivohet diku në botë e të mos kultivohej me sukses edhe në Shqipëri dhe Kosovë. Shumëkush nga kombet e shtetet të tjera do t´ia lakmonte shqiptarëve atë copë vend që e kanë (e shqiptarët për çudi ndonjëherë edhe e urrejnë dhe e mallkojnë Atdheun e tyre, për çudi të lakmuar nga tjerët), atë pozitë gjeografike, gjeostrategjike: në breg të dy detërave, me plazhe e bjeshkë, minerale, hidrokarbure e ujëra të bollshme.
Është troll i papërshtatshëm për demokracinë aty ku është e dyshimtë ndjenja kombëtare dhe respekti ndaj Shtetit. Aty ku mbretëron varfëria e shtetit dhe e popullit si pasojë e etjes për pushtet dhe e mosdëshirës për punë!

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT