Trump “vodhi” dekorin e Melanias për dhomën e tij? Libri zbulon prapaskenat e Shtëpisë së Bardhë

Një libër i ri i gazetarëve të New York Times, Maggie Haberman dhe Jonathan Swan, pretendon se Presidenti amerikan Donald Trump dhe bashkëshortja e tij, Melania Trump, kishin rivalitet edhe për arredimin e dhomave të tyre të veçanta në Shtëpinë e Bardhë bën të ditur revista People.

Në librin “Regime Change: Inside the Imperial Presidency of Donald Trump”, i publikuar këtë javë, autorët shkruajnë se stafi shpesh ndodhej “mes dy Trump-ëve”, të cilët ishin çifti i parë presidencial që nga koha e Richard dhe Pat Nixon që përdornin rregullisht dhoma gjumi të ndara.

Sipas librit, Melania Trump përdorte dhomën kryesore të gjumit, e njohur si “Dhoma 219”, ndërsa presidenti kishte në dispozicion “Dhomën 220”, pranë Sallës Ovale të Verdhë. Autorët pretendojnë se Trump mori për dhomën e tij mobilie dhe elementë dekorativë që ishin përzgjedhur personalisht nga Zonja e Parë.

“Kur stafi i kujtoi me kujdes presidentit se po merrte sende nga korridori qendror që Melania i kishte zgjedhur vetë, ai e bëri të qartë se nuk i interesonte”, shkruajnë Haberman dhe Swan.

Libri pretendon gjithashtu se Trump dukej sikur po konkurronte me bashkëshorten për të pasur dhomën më të mirë në rezidencën presidenciale. Për të shmangur konfliktet, stafi fotografonte zëvendësuesit e mundshëm të mobilieve dhe ia dërgonte Melania Trump për miratim.

Shtëpia e Bardhë dhe zyra e Zonjës së Parë nuk kanë komentuar publikisht këto pretendime.

Autorët theksojnë se Melania nuk ishte shpesh e pranishme në Shtëpinë e Bardhë gjatë javëve pas inaugurimit të mandatit të dytë të Trump, duke vazhduar një model që, sipas tyre, ishte vërejtur edhe gjatë mandatit të parë.

Libri zbulon gjithashtu detaje mbi preferencat e presidentit për arredimin e ambienteve private. I njohur për pëlqimin e tij ndaj dekorit me ngjyrë ari, Trump thuhet se kishte kërkuar ta zbukuronte dhomën e tij me elementë të artë dhe shpesh transportonte vetë objektet që dëshironte të vendoste aty.

Haberman dhe Swan e përshkruajnë presidentin si një “të varur nga televizioni”, duke shtuar se në apartamentin e tij u instaluan tre televizorë: dy në dhomën e gjumit dhe një në banjë. Sipas librit, banja ishte e mbuluar plotësisht me tapet, gjë që kishte shqetësuar stafin për shkak të rrezikut të krijimit të mykut, pasi zona pranë dushit shpesh mbetej e lagur.

Një tjetër aspekt që, sipas autorëve, shkaktonte stres te stafi ishte interesi i vazhdueshëm i Trump për dekorimin e ambienteve të Shtëpisë së Bardhë. Ata shkruajnë se punonjësit shpresonin që Melania Trump të rikthehej më shpesh për të frenuar disa nga idetë e presidentit, veçanërisht planin për të shtruar me gurë një pjesë të Kopshtit të Trëndafilave (Rose Garden) për ta shndërruar në një oborr të ngjashëm me atë të rezidencës së tij në Mar-a-Lago.

Sipas librit, kompromisi përfundimtar ishte që bari të zëvendësohej me gurë të bardhë, ndërsa shkurret e trëndafilave të mbeteshin të paprekura.

Pretendimet e bëra në “Regime Change” nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur nga Shtëpia e Bardhë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT