Çili: S’kam ndikuar tek asnjë gjyqtar! Apartamentet në Velipojë m’i dhuroi Fishta, për çështjen Aliko ishim në fazë negociatash (VIDEO)

Për herë të parë pasi u lirua nga Gjykata e Përmetit me masë sigurie “detyrim paraqitje” për disa akuza, botuesi i njohur dhe pronari i UET-së Henri Çili, foli publikisht në një konferencë për mediat, ku mohoi që të ketë takuar ndonjëherë gjyqtar apo funksionar të lartë të drejtësisë, për të ndikuar në çështje që studio ligjore që ai ka në pronësi kishte marrë përsipër të zgjidhte.  Çili, pronar me 75% të aksioneve në studion ligjore “Legal Studio”, tha se ka takuar gjyqtarë e funksionarë të drejtësisë për shkak të pozitave të tij shoqërore si botues i njohur, por se asnjëherë nuk ka ushtruar ndikim tek ta.

Nuk kam takuar asnjë gjykatës, asnjë përfaqësues të sistemit të drejtësisë, as unë dhe as avokatët. Nuk kam takuar për këto dy çështje asnjë gjykatës dhe funksionar të sistemit të drejtësisë, dhe në jetën time nuk kam takuar asnjë gjyqtar dhe funksionarë për të ndikuar në një proces të ardhshëm gjyqësor. Në pozicionet e mia të shumta si akademik, botues mik, etj etj, unë mund të takoj kategori të ndryshëm personash, përfshi edhe njerëz të drejtësisë, por në lidhje me këtë nuk kam tkauar absolutisht asnjë person”, u shpreh Henri Çili.

Henri Çili tha se i mbetet prokurorisë barra e provës për takimin e pretenduar mes tij dhe drejtuesit të një organi të lartë të drejtësisë, ku organi i akuzës pretendon se funksionari i ka premtuar Çilit që dy çështjet që ai kishte në dorë, do të ishin në 50 dosjet e para për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, kur ajo të ngrihej. “Prokuroria tmë dëshmojë se kë kam takuar se cfarë kam bërë dhe unë dotë jap përgjigjen time”,  – theksoi Henri Çili

Pronari i Universitetit Europian të Tiranës pranoi se ka marrë dy apartamente dhuratë në Velipojë nga biznesmeni shkodran Sait Fishta, por tha se gjithçka është e ligjshme. Ai shtoi se ka paguar taksën për dhurimin e pronave, tek të cilat do të investonte për projekte sociale në kuadër të UET-së. Kontaktet me biznesmenin, Çili pranoi se i ka lidhur nga Adil Aliko, babai i Arbjon Alikos, të dënuar përjetë për vrasjen e policit Ibrahim Basha në 2015-ën në Lazarat.

Dhurimi i dy njësive të shërbimit nga ana e sipërmarrësit Sait Fishta në kompleksin Fishta në Velipojë është bërë me vullnet të lirë, është kryer në konform të ligjit, janë paguar taksat, dhe është kryer në funskion të një koperimi të ardhshëm mes meje si sipërmarrës dhe kompleksit Fishta në qytetin e Velipojës, konkretisht kemi folur me zotin Fishta për ide dhe projekte për  të zhvilluar kushte trajnimi, shkolla vere, aktivitete të ndryshme. Është e vërtetë që kontakti me zotin Fishta ka marrë shkas nga lidhja miqësore me një nga klientët e mi, por konteksti dhe arsyeja e dhurimit janë krejt tjetër, dhe nuk lidhen fare me shpërblimet e drejtpërdrejta apo të tërthorta për çështjen Aliko.  Çfarë fshehje ka të dhurosh një pronë të ligjshme? Taksa e dhurimit dhe e shitjes është po e njëjtë”, tha Çili.

Henri Çili mohoi një më një akuzat e ngritura ndaj tij, duke thënë se nuk ka mashtruar njeri, nuk ka falsifikuar dokumentet, dhe nuk ka fshehur të ardhura dhe sqaroi dy dosjet e marra nga studio e tij ligjore.

Feti Yzeiraj i dënuar me burg përjetë për vrasje, ishte çështje emergjence pasi duhej kapur afati ligjor që vendimit të Apelit t’i bëhej rekurs në Gjykatën e Lartë. Ndërsa për çështjen e Arbjon Alikos, Henri Çili tha se ishte ende në fazë negociatash me familjarët e tij dhe se nuk ishte firmosur kontrata. Edhe pse studio e tij nuk kishte caktuar ende listën e kostove që do të kishin shërbimet ndaj klientëve, gazetari i Report Tv, Arsen Rusta e pyeti botuesin nëse janë të vërteta se Adil Alikos i është kërkuar 1 milionë euro për çështjen, që siç thuhej në dosjen hetimore u negociua deri në zbritjen e në 750 mijë euro. Ai nuk e mohoi këtë fakt, por tha se gjtihçka ka qenë në nivel negociatash e diskutimesh, pasi dosja e Arbjon Alikos ka 13 të pandehur dhe ka aq dokumente sa mund të mbushin një kamion siç Çili u përpoq të argumentojë vlerën e madhe që mund të jetë kërkuar.

“Së pari, unë jam i përfshirë në çështjen për të cilën dyshohem, jo si pronar i UET dhe botues, po si ortak në firmën legale ku kam 75% të aksioneve më 8.5.2019. Duke pasur interes të ligjshëm si ortak, kam takuar parangociuar, dhe negociuar, ndërmjetësuar me persona të ndryshëm në funksion të kontratave për shërbime juridike dhe konsulencash të tjera që ofron cdo studio legale. Veprimi im në kuadër të kësaj studioje, kishte ende një karakter përgatitor për të ndërtuar një sistem tarifash, komisionesh, marrëveshjesh, për shërbimet  në funksion të kontratave për shërbime, ishte një kompani e re. Specifika ime ishte marrja përsipër edhe e fushatave  komunikimit mediatik tek organizatat e të drejtave të njeriut, për shkak të specifikës nga ish profesioni si gazetar. Nuk kam kryer asnjë veprim të ligjshëm, nuk kam mashtruar askënd. Është marrëdhënie shërbimi mes studios legale dhe personave të kontaktuar, janë bërë kontakte dhe biseda me familjarët për të arritur në një kontratë për shërbime juridike në një moment të dytë, në funksion të mbrojtjes  klientëve të ndryshëm për cështje në shkallën e tretë, si rasti i dy çështjeve. Nuk kam fshehur asnjë të ardhur, sepse në dy çështjet që dyshohem, nuk kam bërë asnjë arkëtim dhe kontratë shërbimi në studion ligjore se kemi qenë në fazën e negocimit dhe nuk ishte konkluduar kontrata”, tha ai.

Henri Çili theksoi mes të tjerash se do të ishte më mirë që të të ishte hetuar në gjendje të lirë, pasi nuk është person i rrezikshëm. Ai shtoi se çështja e tij duhej të ishte ndarë nga të tjerët, duke marrë parasysh që nuk ka pasur asnjë precedentë më herët, sa të vihej përballë të akuzuarve për vepra të rënda, përfshirë edhe trafik droge.

“Gjatë gjithë këtyre ditëve shtypi dhe media është mbushur me versionin e prokurorisë ose policisë dhe besoj se ishte më minimalja të them versionin tim brenda rrethanave të vendimit të gjykatës së Përmetit të ditës së dielDitën e enjte, më 27 shkurt, unë dhe dy të punësuarit e mi, avokatët Betim Shkupi dhe Ilir Korbi jemi ndaluar në shkelje të rënda procedurale, kur unë personalisht dhe ata po ashtu, nuk kishim pasur asnjë precedentë penalë në jetën tonë. Nuk kisha asnjë rrezikshmëri për tu larguar, të prishja provat për shkak se kisha qenë në përgjim prej muajsh, apo të bëja një krim tjetër. Mosthirrja normale, por ndalimi dhe pastaj arrestimi ishte i pajustifikuar në rrethanat kur një person ndalohet pastaj njihet me akuzën.  Vendimi i Gjykatës së Përmetit hodhi poshtë masën duke normalizuar disi situatën, dhe sigurisht dotë  kishte qenë më mirë hetim në gjendje të lirë sepse nuk kam asnjë lloj rrezikshmërie. “, u shpreh botuesi i njohur.

Pronari i “Legal Studio” tha se nuk ka informacion që e gjitha të jetë një proces politik, por theksoi se tashmë që çështja e tij kaloi në SPAK, pasi Gjykata e Përmetit shpalli moskompetencë, do të hetohet nga prokurorë që e kanë kaluar vettingun. Ai tha se do ta apelojë masën, do të kërkojë pafajësi dhe dëmshpërblim. “Unë nuk mendoj se jam viktimë e ndonjë procesi politik. Mendoj se kemi të bëjmë me cilësinë skandaloze të sistemit të drejtësisë së vjetër në Shqipëri. Gjykatësi dhe prokurori janë ende pa futur në procesin e vetingut, me një protagonizëm të sëmurë lokal të segmenteve të drejtësisë. Është një proces i pakuptimtë për të qenë i qëllimshëm, aq më pak politikish. Po shkaktohet një dëm shumë i madh shoqërisë shëiptare, se dëmshpërblimet paguhen nga xhepat e shqiptarëve. Ka dicka për t’u ndaluar këtu nga organet e reja të drejtësisë, për të kuptuar vërtetë se në cfarë gjendje është cilësia e dhëniës së drejtësisë në këtë vend”, përfundoi ai.

Dosja ‘’Mezhgoran’’ aktualisht ka kaluar pranë Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsioni, e cila pritet që javën e ardhshme të rivlerësojë masat e sigurisë dhënë nga Gjykata e Përmetit ku Çilin e la me “detyrim paraqitje”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT