Ligji për censurën e mediave online, BE tjetër apel qeverisë

Delegacioni i BE në vendin tonë thotë se Komisioni Evropian ka shqyrtuar paketën legjislative për mediat, ka dhënë komente dhe shprehu shqetësime gjatë gjithë procesit të hartimit.
Në reagim thuhet se Komisioni u ka bërë thirrje autoriteteve që të marrin në konsideratë komentet e bëra nga OSBE dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës, të mobilizuara nëpërmjet fondeve të BE, në mënyrë që të sigurojë përputhshmërinë me standardet evropiane në fushën e lirisë së shprehjes.
“Komisioni ka shqyrtuar paketën legjislative për median, ka bërë komente dhe ka shprehur shqetësimet gjatë gjithë procesit të hartimit të paketës.
Komisioni u ka bërë thirrje autoriteteve që të marrin në konsideratë komentet e bëra nga OSBE dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës, të mobilizuara nëpërmjet fondeve të BE, në mënyrë që të sigurojë përputhshmërinë me standardet evropiane në fushën e lirisë së shprehjes.
Këto rekomandime përfshijnë, ndër të tjera, kufizimin e qëllimit të rregullimit vetëm në shërbimet e mediave audio-vizive online, duke promovuar vetë-rregullimin, sigurimin e shqyrtimit të pavarur gjyqësor të ankesave të lidhura me median dhe forcimin e transparencës së pronësisë së mediave në vend.
Komisionet parlamentare kanë miratuar mbrëmjen e kaluar një draft të rishikuar të paketës. Megjithatë, në draft nuk janë marrë parasysh disa rekomandime të bëra nga aktorët ndërkombëtare dhe kështu drafti ende ngre shqetësime. Është e rëndësishme që të gjitha këto rekomandime – të përsëritura sot nga Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatovic – të merren parasysh siç duhet para se drafti përfundimtar të kthehet në ligj”, thuhet në reagim.