Cilat janë tentativat për krijimin e një poli të ri brenda të djathtës?

Pakënaqësitë e krijuara brenda Partisë Demokratike janë parë prej kohësh si një mënyrë që mund të prodhonte krijimin e një lëvizje të re brenda kësaj partie.

Një gjë e tillë në fakt është aluduar disa muaj pasi kreu demokrat Basha mori vendimin politik për të lënë jashtë listave të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet qendrore të vitit 2017, disa prej figurave kryesore dhe me shumë kontribut në Partinë Demokratike.

Kjo lëvizje u pa me shumë zhgënjim në fakt, por edhe përtej kësaj solli rënien e partisë me disa mijëra vota. Pakënaqësitë pra sollën edhe disa lëvizje spontane më shumë sesa të organizuara të disa prej figurave me rëndësi tashmë thuajse jashtë PD-së.

Ish kryeparlamentarja Topalli u vu kundër Bashës dhe vazhdimisht do ta kritikonte atë për disa prej vendimarrjeve të tij. Njëjtë thuajse bëri edhe Astrit Patozi, por që lëvizjet e tij shkuan përtej reagimeve spontane dhe atyre në rrjetet sociale e media.

Ai krijoi një lëvizje të re politike që e quajti “Bindja Demokratike”. Madje me këtë sigël ai u fut edhe në zgjedhjet vendore të qershorit që u bojkotuan nga opozita.

Por duhet thënë se lëvizja e Patozit nuk rezultoi dhe aq e suksesshme, gjë të cilën e kishte kuptuar edhe ai vetë tashmë. Ndaj edhe nën rogoz thuhet që po punohet për krijimin e një poli të ri politik që mund të jetë mbase edhe kundër lidershipit aktual të Partisë Demokratike.

E sinjalet i pari për këtë i ka dhënë Edvin Kulluri, një zë kritik ndaj Bashës dhe ish antar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Në një intervistë të tijën në “Top Talk” ai ka folur rreth një poli a bashkimi të ri të djathtës për të sjellë kështu ardhjen në pushtet të saj. Ai nuk foli që ky pol të luftonte Bashën, ama u shpreh i sigurtë se po zhvillohen bisedime me partitë tradicionale të djathtës.

Mesa duket të ftuar në këto bisedime janë edhe Patozi me Topallin. Gjë që e bën edhe më shumë dyshues faktin nëse kjo lëvizje mund të jetë qoftë edhe kundër vete lidershpit të Bashës.

Tezën tonë të ngritur në krye e përforcon akoma më shumë edhe një fakt tjetër që tashmë është bërë prej ditësh i ditur. Kjo vjen në kuadër të reformës zgjedhore ku nga propozimet e dala nga partitë e vogla të djathta është edhe ajo e krijimit të grupimeve politike para elektorale.

Një propozim i tillë është pranuar edhe nga vetë Partia Demokratike edhe pse duhet thënë se ditëve të fundit nuk është se ka ndonjë zhvillim tjetër përsa i përket këtij propozimi. Pra duket sikur kjo gjë u la në heshtje.

Sipas këtij propozimi mendohet që një formulë e tillë të mundësojë bashkimin e votave të partive të vogla, në mënyrë që edhe ata të munden të përfaqësohen vetë pa qenë nevoja të futen në listat e partive të mëdha. Siç edhe në fakt ka ndodhur deri më tani duhet thënë.

A janë këto indicie le të themi që mund të na çojnë drejtë një dyshimi të arsyeshëm se në të djathtën shqiptare po lind një lob i ri, për këtë do duhet të presim të paktën përfundimin e reformës zgjedhore dhe gjithashtu edhe zhvillimet politike të ditëve në vazhdim.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT