Pekini në alarm nga përmbytjet/ Rrëshqitjet bllokojnë dy lumenj, liqeni i ri kërcënon Kinën dhe Nepalin

Kina jep alarmin se ka rrezik të lartë për një tjetër përmbytje pranë kufirit me Nepalin, pasi rrëshqitjet e dheut kanë krijuar një liqen të ri natyror.

Mbetjet e shembjeve kanë bllokuar rrjedhën e dy lumenjve, Chhochen Khola dhe Purepu Tsangpo, duke bërë që uji të grumbullohet pas barrierës së krijuar nga dheu dhe shkëmbinjtë.

Deri të premten, liqeni kishte grumbulluar rreth 2.5 milionë metra kub ujë, ndërsa niveli pritet të rritet më tej për shkak të reshjeve. Autoritetet kineze druhen se nëse barriera natyrore nuk përballon presionin e ujit, liqeni mund të dalë nga shtrati dhe të shkaktojë një valë të re përmbytjesh dhe rrëshqitjesh dheu në zonat përreth.

Paralajmërimi vjen vetëm pak ditë pas një përmbytjeje të fuqishme në rajon, e cila shkaktoi qindra viktima dhe persona të zhdukur. Sipas shkencëtarëve, katastrofa mund të jetë shkaktuar nga shembja e një akullnaje, e cila çliroi një sasi të madhe uji dhe mbetjesh që u përhapën përgjatë lumit. Për shkak të rrezikut të situatës, autoritetet kineze kanë pezulluar përkohësisht disa operacione shpëtimi, ndërsa ekipet inxhinierike po monitorojnë vazhdimisht nivelin e ujit dhe stabilitetin e liqenit.

Për këtë qëllim po përdoren edhe dronë për të vëzhguar zonën dhe për të identifikuar ndryshime që mund të tregojnë një çarje ose shembje të barrierës. Megjithatë, ka ende shpresa se jo çdo rritje e nivelit të ujit do të çojë domosdoshmërisht në një katastrofë. Ekziston mundësia që uji të gjejë gradualisht një rrugë natyrore për të dalë nga liqeni, duke ulur presionin dhe duke shmangur një përmbytje të menjëhershme.

Ndërkohë, edhe Nepali ka marrë masa parandaluese. Autoritetet u kanë kërkuar banorëve të qëndrojnë larg lumenjve Bhote Koshi dhe Trishuli, pasi bllokimet e mundshme të rrjedhave dhe rritja e nivelit të ujit mund të shkaktojnë përmbytje të tjera.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT