‘1 milionë shqiptarë u dëbuan nga Kosova’, Meta: Nderojmë viktimat e luftës, mirënjohje popullit të Kukësit, Hasit e Tropojës…

Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka përkujtuar sot eksodin e madh të shqiptarëve të Kosovës, që të detyruar nga regjimi kriminal i Millosheviçit, lanë shtëpitë e tyre dhe erdhën në Shqipëri.
Meta nderon kujtimin e viktimave të pafajshme të luftës së Kosovës, teksa shpreh mirënjohjen e thellë për popullin e Kukësit, Hasit e Tropojës, që edhe pse në vështirësi ekonomike, treguan humanizëm dhe vëllazëri duke mirëpritur familjet në nevojë.
Postimi i plotë
Sot në Ditën e Eksodit Shqiptar, përkujtojmë vuajtjet, dhimbjet dhe sakrificat sublime të mbi 1 milion shqiptarëve, të cilët 21 vite më parë u dëbuan me dhunë nga Kosova martire, për shkak të gjenocidit dhe spastrimit etnik të regjimit kriminal të Millosheviçit!
Sot nderojmë edhe kujtimin e viktimave të pafajshme të luftës së Kosovës, fëmijët, gratë e të moshuarit e vrarë barbarisht, si edhe heronjtë dhe dëshmorët e rënë për lirinë e pavarësinë e saj.
Mirënjohje në veçanti për kontributin historik të popullit të Kukësit, të Tropojës dhe të Hasit, që edhe pse në kushte mjaft të vështira ekonomike dhe sociale, mikëpritën dhe mbajtën peshën kryesore të bujarisë e humanizmit gjatë këtij eksodi biblik.