Shpërndarja e Parlamentit, ja dy rastet kur mund të firmoset një dekret i tillë

Zëri i Amerikës ka shkruar për atë që ndodhi sonte në Tiranë. Në Shqipëri, presidenti Ilir Meta paralajmëroi sot se do të firmosë shpërndarjen e parlamentit, nëse shumica sipas tij nuk tërhiqet nga nisma për disa ndryshime në procedurat e betimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Sipas ndërhyrjes ligjore të miratuar në parlament tre javë më parë “nëse anëtari i Gjykatës Kushtetuese nuk thirret për të bërë betimin, brenda 10 ditësh nga afati i zgjedhjes, ai kryen betimin në formë të shkruar dhe ia dërgon atë Presidentit të Republikës, organit të emërtesës dhe Gjykatës Kushtetuese”. Ky akt i shumicës është konsideruar nga presidenti si një “grusht shteti”.

Ai firmosi në shesh dekretin që ia kthen pas Parlamentit ndryshimet dhe menjëherë më pas u betua përpara flamurit se “nëse Grushti i Shtetit dhe organizata mafioze që luan me sovranitetin, nuk e merr seriozisht këtë dekret, unë u jap fjalën, në emër të këtij flamuri, se pas datës15 mars, kur të përfundojë Reforma Zgjedhore, nëse ata nuk do e marrin seriozisht, unë Ilir Meta betohem se do ta firmos atë dekret në mes të parlamentit, në mes të krimit, dhe do i bëj thirrje gjithë popullit shqiptar. Unë i pari dhe gjithë populli kuqezi”, deklaroi zoti Meta.

Por kushtetuta shqiptare i njeh presidentit të drejtën për të shpërndarë parlamentin vetëm në dy raste: (Neni 96) “Kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë Kryeministrin e ri, Presidenti i Republikës shpërndan Kuvendin” dhe (Neni 104) “1.Kryeministri ka të drejtë t’i paraqesë Kuvendit mocion besimi ndaj Këshillit të Ministrave. Në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri, brenda 48 orëve nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit. 2. Presidenti shpërndan Kuvendin brenda 10 ditëve nga marrja e kërkesës”.

Fjala e presidentit Meta që pasoi ndërhyrjet e disa figurave jo politike, që ishin në krah të tij në podium, si juristë, diplomat, student apo dhe artiste, ishte e ngarkuar me tone të ashpra dhe akuza të forta ndaj shumicës. “Jemi këtu sepse Shqipëria është e ndarë në popullin kuq e zi dhe në grupin që përfaqëson një botë të vogël, të errët e tradhtarë të puçistëve dhe oligarkëve që si shushunja pinë çdo ditë gjakun e popullit. Jemi këtu sepse asnjë nga ne nuk mund ti qëndrojë anash grushtit të shtetit. Jemi sot për t’u vënë përballë kundër grushtit të shtetit”./voa

Back to top button
LAJMET E FUNDIT