Strazimiri: Rama i dërgoi 30 mjekët shqiptarë në Itali, për t’i bërë karshillëk Merkelit. Ne kemi 1 milionë fukarenj këtu, ai merret me shou

Statusi i Strazimirit

Dërgimi i 30 mjekëve shqiptarë, për t’iu bashkuar atyre qindra mjekëve shqiptaro-italianë që në heshtje, vullnetarisht, heroikisht po përballen më pandeminë në Itali, ishte vërtetë një GJETJE!!!

Një bravo e madhe atij që pati ngenë ta përgatisë në këto ditë ankthi mortor, madje deri në detaje të tilla groteske si veshja me pajisjet e sallës së reanimacionit që në rrugë, e deri tek shoqërimi me ceremoni apo pritja me ceremoni!!!

U ndjenë krenarë e të emocionuar qindra mijë vëllezër e motra tanët, shqiptarët që Italinë e kanë zgjedhur si atdhe të dytë, ç’ka nuk mund të na lerë indiferentë asnjërin prej nesh megjithëse nën peshën e problemeve të ekzistencës.

U ndjenë borxhli ndaj nesh edhe dhjetra mijë miq italianë safi’, që na shkruan me mirënjohje e falenderim për “xhestin kuptimplotë, në një ditë të vështirë kur Evropa i ka lënë vetëm” …

Italianët dhe qeveria e tyre, ndihen të prerë në besë nga Evropa dhe kryesisht nga Gjermania e Merkel, e mbase kanë të drejtë, por kjo nuk do të duhej të ishte puna e qeverisë shqiptare!

Qeveria shqiptare do të duhej të kishte halle të tjera sot, halle reale e jo regjisoriale…

Qeveria shqiptare ka mjekët e saj ende të papajisur, ose të pajisur me produkte mbrojtëse të skaduara…

Qeveria shqiptare ka mbi 1 milionë fukarenj që vuajnë për bukën e gojës edhe në ditë normale, e jo më nën karantinën e pandemisë…

Qeveria shqiptare ia pret shkurt çdo fukarai që kërkon bukë për fëmijët, duke argumentuar se “paret e PPP-ve janë më jetike se buka e fëmijëve të Shqipërisë” …

Qeveria shqiptare paska “mbyllur listën e riatdhesimit” të fëmijëve të Shqipërisë që pandemia i gjeti jashtë vendit… dhe “kush hyri, hyri! Kush mbeti, mbeti” ….!

Qeveria shqiptare ende sot, 4 javë pas karantinimit, nuk ka shpenzuar asnjë cent për qytetarët e saj, por u ka lënë si ditën e së vërtetës … 1 prillin…

Borxhi që ne si shqiptarë i kemi Italisë dhe italianëve, nuk lahet me propagandë të mbingarkuar deri në komedi!

Nuk e lajmë dot as me 30 mjekë në ditë pandemie që na i presin me ceremoni për t’i bërë karshillëk Merkelit, e as me 24 eritreas që u ofruam të strehojmë nga 240.000 që mësynë brigjet italiane 3 vite më parë, për t’i bërë qejfin Salvinit, po për inat të Merkelit!!

Mbrëmë rashë të flija nën peshën e emocionit që më dha lajmi se Megi, mjekja ekselente shqiptare që jeton në Itali, kishte dalë vullnetare për të ndihmuar ndalimin e pandemisë, megjithëse nuk është infeksioniste dhe ka një specialitet krejt tjetër…

Nuk mund të rrinte duarkryq!!!

Sot u zgjova me mesazhin emocionues të Federicos, mikut tim italian, që ndihej borxhli për gjestin e të “30-ve” !!!

Federico nuk e njeh Megin, e as dhjetra e qindra shqiptarë të tjerë që po kontribuojnë pa u ndjerë në spitalet italiane me humanizëm e atdhedashuri njësoj si për atdheun e origjinës, Shqipërinë!

Po kontribuojnë jo vetëm nën stresin e peshën e përgjegjësisë së punës, por edhe nën stresin se prindët, motrat, vëllezërit, nipërit e mbesat, gjyshet e gjyshërit, kolegët e tyre në Shqipëri, janë thuajse krejtësisht në dorë të Zotit, sepse qeveria nuk i konsideron prioritet jetik aq sa ç’konsideron PPP-të e konçesionet….

Qeveria që nuk jep asgjë, do pjesën e saj kudo, madje edhe tek kontributi human i atyre 30 profesionistëve shqiptarë që askush nuk i pa në tv, as në intervista, madje as në profilet e tyre te fb… njësoj si Megi dhe bashkëatdhetarët e tjerë që jetojnë në Itali!!!!

Ata të “30-ët”, njësoj si Megi e qindra “Megë” të tjerë që na nderojnë çdo ditë në Itali e kudo, nuk dolën vullnetarë për shoë, e aq më pak shoë politik në favor apo disfavor të cilitdo politikani evropian apo jo!!

Ata janë siç do të donim e do të duhej të kishim pushtetarët tanë!!!

Mos i lejoni të na i bëjnë pis!!!!

Back to top button
LAJMET E FUNDIT