Tensionet në Ngushticën e Hormuzit rrisin çmimin e naftës

Çmimet e naftës po rriten në tregjet ndërkombëtare, ndërsa kërkesat e fundit të Iranit për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit kanë zbehur shpresat për një rikthim të shpejtë të stabilitetit në tregjet globale të energjisë.

Nafta Brent, standardi ndërkombëtar i tregut, u rrit të hënën me më shumë se 1 për qind. Në orën 04:30, kontratat e së ardhmes për Brent për muajin tetor tregtoheshin rreth 84,43 dollarë për fuçi, rreth 16 për qind më shumë se niveli i regjistruar para nisjes së luftës mes Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe Iranit.

Rritja e çmimeve lidhet kryesisht me pasigurinë rreth të ardhmes së Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve më të rëndësishme detare për transportin e energjisë në botë. Teherani ka bërë të qartë se nuk do ta lejojë rikthimin normal të trafikut detar në këtë corridor, pa marrë më parë koncesione të rëndësishme nga Uashingtoni.

“Moszbatimi i lëvizjeve konkrete, së bashku me pyetjet që vazhdojnë të ekzistojnë rreth detajeve praktike të çdo marrëveshjeje, po mban një prim rreziku në çmimin e naftës”, tha Tim Uaterer, kryeanalist i tregjeve në KCM Trade, me bazë në Sydney.

Sipas tij, çdo ditë që kalon pa një përparim të rëndësishëm po i bën tregtarët gjithnjë e më të kujdesshëm.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi të dielën se Irani dhe Omani janë pranë një marrëveshjeje për Ngushticën e Hormuzit. Megjithatë, ai theksoi se kalimi i lirë i anijeve nuk do të rikthehet përpara se Shtetet e Bashkuara të plotësojnë disa kushte të vendosura nga Teherani. Ndër kërkesat iraniane janë lehtësimi i sanksioneve ndaj Iranit dhe pagesa e dëmshpërblimeve të luftës.

Ngushtica e Hormuzit është një pikë strategjike për ekonominë botërore. Përpara nisjes së konfliktit, përmes saj kalonte rreth një e pesta e furnizimit global me naftë. Që nga fillimi i luftës, trafiku detar në këtë korridor është reduktuar në mënyrë drastike, duke shkaktuar një nga ndërprerjet më të mëdha të furnizimit me energji të regjistruara ndonjëherë.

Të dhënat e platformës së monitorimit të anijeve MarineTraffic tregojnë se më 4, 5 dhe 6 gusht vetëm 8 deri në 15 anije kaluan përmes ngushticës. Kjo shifër është shumë më e ulët se rreth 130 kalime që regjistroheshin përpara fillimit të konfliktit.

Irani ka këmbëngulur vazhdimisht se ka të drejtë të kontrollojë lëvizjen e anijeve në këtë zonë. Teherani ka kërcënuar gjithashtu me sulme ndaj anijeve tregtare që përpiqen të kalojnë përmes rrugëve që nuk janë miratuar prej tij. Kjo ka rritur shqetësimet për sigurinë e transportit detar dhe për vazhdimësinë e furnizimeve globale me naftë.

Të shtunën, Emiratet e Bashkuara Arabe dënuan Iranin për atë që Abu Dhabi e përshkroi si një sulm me raketë ndaj një anijeje në pronësi të kompanisë shtetërore të naftës Abu Dhabi National Oil Company.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare Detare, që nga fillimi i luftës janë regjistruar të paktën 64 incidente të dhunshme dhe 17 viktima të lidhura me anijet tregtare në rajon. Shumica e këtyre incidenteve i janë atribuar Iranit.

Pasiguria në tregun e energjisë ka rikthyer shqetësimet për një periudhë të zgjatur të çmimeve të larta të naftës. Investitorët po përpiqen të vlerësojnë se sa shpejt mund të arrihet një marrëveshje që do të garantonte rihapjen e qëndrueshme të Ngushticës së Hormuzit.

Megjithatë, pavarësisht rritjes së çmimeve të naftës dhe tensioneve në tregjet energjetike, bursat aziatike nisën të hënën në territor pozitiv. Indeksi japonez Nikkei 225 u rrit me 1,9 për qind, ndërsa Kospi i Koresë së Jugut dhe Hang Seng i Hong Kongut shënuan rritje prej rreth 0,7 për qind.

Edhe nëse një marrëveshje do të shpallej në ditët në vijim, tregjet do të vazhdonin të përballeshin me pasiguri. Sipas analistit të KCM Trade, përvojat e mëparshme tregojnë se marrëveshje të tilla mund të jenë të brishta dhe të kthehen shpejt në tensione të reja.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT