Një “Shtet i Artë” për Agimin e Artë

Nga Mero Baze
Disa badigardë të krerëve të Agimit të Artë në Greqi kanë trazuar opinionin me deklaratat e tyre në Himarë. Rëndësia e tyre është mediatizuar pasi kanë sulmuar një ekip të televizionit Top Channel, kanë zbuar priftin e kishës nga mesha, dhe më pas kanë mbajtur një fjalim idiot, për gjëra që nuk i hyjnë në punë askujt.

Natyrisht në raste të tilla ka dhe një histeri reagimesh kundër tyre nga opinioni publik dhe media. Por ka diçka që duhet të marrë fund çdo gusht, dhe ajo është faktorizimi i disa idiotëve që vijnë nga Greqia, flasin para varrit të një qytetari, që është viktimë e dhunës tradicionale shqiptare, dhe ikin si heronj.

Së pari, kur flasim për Agimin e Artë dhe pikëpamjet e tij, duhet të jemi seriozë që mos t’i kthejmë në ekuivalente të qëndrimeve greke ndaj Shqipërisë. Pesha që u jepet atyre në media, dhe përpjekja për t’u faktorizuar me qëndrime ekstreme, është në disproporcion me rëndësinë që vetë ata kanë në Greqi. Nëse flitet për mbështetës të tyre tek pakica greke në Shqipëri, flitet vetëm për disa individë, të cilët duan të faktorizohen në pakicën greke përmes qëndrimeve të skajshme. Zgjedhjet e sapopërfunduara tregojnë se të dyja partitë e minoritetit grek së bashku kanë një mbështetje prej 20 mijë votash, që reflekton realisht dhe fuqinë politike të pakicës greke në vend. Mes dy partive mund të ketë ndonjë element që ka qejf të jetë më grek se grekët, por ky nuk është ndonjë problem që meriton vëmendje.

Së dyti, ka një problem serioz në këtë rast me shtetin shqiptar. Deklaratat e badigardëve të Agimit të Artë fituan popullaritet pasi ata sulmuan një ekip të televizionit më të madh në vend, Top Channel. Shteti shqiptar, policia jonë, duhet të reagonin në këtë rast si një shtet normal, duke i arrestuar dhunuesit e ekipit të Top Channel, qofshin ata grekë apo filogrekë të Himarës. Në këtë rast kemi të bëjmë me një sulm fizik ndaj lirisë së medies, dhe tolerimi i tij tregon mentalitetin e shtetit shqiptar ndaj përgjegjësive të veta. Dhunuesi i ekipit të Top Channel duhet të arrestohej dhe të dënohej këtu, pavarësisht se mund të ishte grek apo fashist grek. Në këtë rast do të ishte dhe debati më i qartë pasi do diskutonim për një kriminel ordiner dhe jo për rrezik grek ndaj Shqipërisë. Me të njëjtin seriozitet duhet të shikohet dhe dhuna e tyre ndaj priftit të kishës në Himarë dhe përpjekja për t’u hequr në atë institucion si zotë të saj. Mungesa e prezencës së shtetit shqiptar dhe tolerimi i akteve të tyre të dhunës, bëjnë që ne tani të flasim për heronj grekë kundër Shqipërisë, në vend që të flisnim për ca bajga që vijnë e ndotin çdo vit atmosferën e pushimeve shqiptare.

Në këtë pikë desha të shtoj dhe mundësinë që shteti shqiptar ka të listojë si të padëshiruar në vendin tonë çdokënd që shoqërohet me këtë rreth politik. Ky nuk është një qëndrim armiqësor ndaj Greqisë, por përkundrazi një masë që lehtëson dhe forcon raportet normale mes dy vendeve.

Së fundmi, duhet theksuar se Agimi i Artë nuk ka një truall mbështetësish tek pakica greke në Shqipëri, por disa individë e promovojnë atë. Shqipëria ka detyrim jo vetëm kombëtar, por dhe ndërkombëtar, të hetojë dhe të izolojë elementet që financojnë lëvizje naziste jo vetëm brenda vendit, por dhe në vendet fqinje. Njësoj siç bashkëpunon në luftën kundër terrorizmit me çdo vend të botës, ashtu duhet të bashkëpunojë dhe me Greqinë për izolimin e këtyre elementëve. Një nga surretërit që rrinte në krah të atij që “shpallte luftën për çlirim” është një qytetar nga Lukova, me hotele dhe miliona të paverifikuara në shtetin shqiptar, që qenka shpallur eksponent i Agimit të Artë. Sali Berisha, para se të përndjekë mediat kundërshtare, para se të gjobisë ato pse nuk kanë mbështetur atë, mund të merrej pak më shumë me mbështetësit dhe financuesit e këtyre rrjeteve naziste, që helmojnë raportet mes dy vendeve dhe janë kthyer në një kokëçarje patriotike çdo gusht, dhe sa herë që ka zgjedhje në Shqipëri.

Raportet shqiptaro- greke mund të kenë problemet e tyre, por nuk kanë kurrë problemet që shpik Agimi i Artë, dhe për këtë arsye ata duhen injoruar. Faktorizimi i tyre nga media shqiptare dhe opinioni publik, i bën ata të rëndësishëm jo vetëm këtu, por dhe në Athinë, duke shkaktuar një dëm dypalësh. Ata duhen injoruar dhe izoluar. Por që kjo të bëhet, shteti shqiptar duhet të bëjë punën e vet, duke i trajtuar ata si kriminelë që shkelin ligjet e vendit ku hyjnë për qejf të vet. Vetëm kur shteti t’i trajtojë si kriminelë, ne do t’i shohim si të tillë. Ndryshe ky do të kthehet në një “Shtet të Artë” për të prodhuar histori për Agimin e Artë.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT