Përcaktohen kundërshtarët e ekipeve Shqiptare në Europë

U hodh të hënën më datë 25 qershor në mesditë, shorti i ndeshjeve eleminatore për Kupat e Europës në sezonin 2012-13. Këtë sezon, ekipet që mbajnë mbi shpatulla ëndrrën Shqiptare për të kaluar tre ture dhe për t’u kualifikuar për herë të parë në fazën finale të një kompeticioni Europian për klube janë kampionët në fuqi të Skënderbeut, Teuta, e cila zuri vendin e dytë në rënditje, Tirana, fituesja e Kupës së Republikës, dhe Flamurtari, i vetmi ekip Shqiptar që ka kaluar dy ture në Europë. Vlonjatët, megjithëse u renditën në vend të katërt në Superligë sezonin e kaluar, arritën të fitojnë një biletë për pjesëmarrjen në Europa League, pasi Tirana, e treta, u kualifikua nëpërmjet trofeut të Kupës.
Të parët që do të zbresin në fushë do jenë sfidantët në Europa League, në ndeshjet që zhvillohen më 5 dhe 12 korrik. Të tre ekipet Shqiptare do të luajnë ndeshjen e parë në fushën e tyre. Kështu, duket se Tirana ka patur fatin më të mirë në këtë short, pasi do përballet me ekipin nga Luksemburgu, Grevenmacher. Këta të fundit kanë arritur të fitojnë vetëm një herë (2002-03) ligën vendase, e cila renditet e treta nga fundi për nga cilësia në Europë.
Ndërkohë, shorti nuk ka qenë i keq edhe për Teutën, e cila do të përballet me gjeorgjanët e Metalurgi Rustavi, ekip ky pas shumë histori në kampionatin vëndas, të cilin e kanë fituar vetëm dy herë (2006–07 dhe 2009–10).
Ndërkohë, goglat kanë qenë më pak fatlume për Flamurtarin dhe Skënderbeun, të cilat do të përballen me 2 nga ekipet më të suksesshme të kampionatit hungarez. Kështu, ekipi vlonjat do të zbresë në fushë më 5 dhe 12 korrik kundër Honved-it të Budapestit, i cili është ekipi i katërt më i suksesshëm në Hungari pas gjigandëve të Ferencvarosh, MTK Budapest dhe Ujpesht, falë 13 titujve kampion. Honved ka një histori mjaft të pasur edhe në Europë, si në kompeticionet Europiane, por edhe para lindjes së tyre në gjysmën e parë të viteve 1950, kur fanellën e Honved e vishte edhe i madhi Ferenc Pushkash. Asokohe rivaliteti me Wolverhampton Wanderers çoi në krijimin e Kupës së Kampioneve në vjeshtën e vitit 1955.
Edhe kundërshtarët e Skënderbeut, të cilët zbrezin në fushën e shtëpisë në datat 17/18 dhe në fushë kundërshtare më 24/25 korrik, duken mjaft të fortë në letër. Edhe pse jo me aq shumë trofe sa ekipet hungareze të përmendura më lart, Debreceni ka historinë më të suksesshme gjatë viteve të fundit. Klubi renditet i 5-ti në Hungari për nga numri i trofeve, me 6 tituj kampion, të cilët i ka fituar të gjithë gjatë 8 viteve të fundit, që prej sezonit 2004-2005. Falë suksesit në kampionatin vendas, Debreceni ka arritur të krijojë një traditë të mirë edhe në kupat e Europës, ku merr pjesë vazhdimisht që prej vitit 2000, duke arritur edhe fazën e grupeve në Champions League gjatë sezonit 2009-10 dhe në Europa League vitin pasardhës.
Gjithashtu në Europa League këtë sezon do të marrin pjesë edhe ekipet Shqiptare “Shkëndija” dhe “Renova” nga Tetova. Shkëndija, e cila debutoi në arenën ndërkombëtare sezonin e kaluar me përballjet ndaj Partizanit të Beogradit, do të ndeshet ndaj irlandezo-veriorëve të Portadown, të cilët, megjithëse 4 herë kampionë, duken të lehtë në letër. Ndërkohë, fituesja e Kupës në Iliridë, Renova do të përballet me ekipin thuajse-amator “Libertas” nga San Marino. Edhe dy ekipet Shqiptare nga Ilirida i zhvillojnë ndeshjet e para, më 5 korrik, në shtepi, ndërsa udhëtojnë në ndeshjet e kthimit më 12 korrik. (asport.info)


Mundesohet nga faqet ne facebook: ” Te behemi 50.000 veta kunder regjistrimit te fese & kombesise.Loje e Grekut “ dhe ” Zgjohu Shqiptar !!! “ —> “Shperndaje”

Back to top button
LAJMET E FUNDIT