Gjykata e Posaçme urdhëroi kthimin e Vangjush Dakos në burg, aludon Çim Peka: Do t’i japë një mesazh Lali Erit, por çfarë do t’i thotë?!

Gazetari dhe moderatori Çim Peka thotë se vendimi i djeshëm i Gjykatës së Posaçme të Apelit për të kthyer në qeli ish-kryebashkiakun e Durrësit është i turpshëm. Vangjush Dakos i kanë mbetur dhe pak ditë për të shlyer në qeli, konkretisht mes 8 dhe 10 ditëve.
Sipas Pekës, Vangjush Dako është kthyer në burg vetëm për t’i dhënë mesazh kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, i cili gjithashtu qëndron në paraburgimin e Durrësit prej muajit Shkurt 2025.
“E riktheu Dakon ne burg vetem per edhe 8 dite. Se i duhet ti dergoje nje mesazh Veliajt. Pasi e la ta shkelte arrestin e shtepise per nje vit me radhe e te bente fushate ne Durres, sot e ka kthyer ne burg ku ka per te kryer fiks edhe 8 dite. Cfare mesazhi do ti dergoje Gjushi, Lalit sot ne qeli!?”, shkruan ai.
Vangjush Dako u arrestua në 6 qershor 2023, por u lirua në shkurt të vitit 2024 pasi i kaloi afati i paraburgimit dhe prej asaj kohe ka qëndruar në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Ai u dënua për shpërdorim detyre në 2 raste, në kohën që ushtronte postin e kryetarit të bashkisë së Durrësit. Bëhet fjalë për ndërtimin e një pallati 12 vite më parë në Durrës, që u shemb nga tërmeti i vitit 2019. Leja e ndërtimit të pallatit u zbardh, tre vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar.
Ndërsa rasti tjetër i shpërdorimit të detyrës nga Vangjush Dako lidhet me abuzimin me tenderin për ndërtimin e një shëtitoreje buzë detit në vitet 2014-2015, të zbuluar nga KLSH, që I shkaktoi buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh.