Presidenti do të bëjë çdo gjë në mbrojtje të Kushtetutës/ Por deri ku?!

Presidenti i Republikës është prej kohësh në një “konflikt” të vazhdueshëm me parlamentin dhe mazhorancën e Ramës.
Në fakt përplasja mes insitucioneve nisi që me mospranimin e zhdekretimit për zgjedhjet vendore të qershorit, për të cilat presidenti Meta shprehej se nuk mund të zhvilloheshin përsa kohë në to nuk merrte pjesë edhe opozita e bashkuar.
Por konflikti mes palëve arriti kulmin para disa muajve kur po diskutoheshin emërimet e antarëve për në Gjykatën Kushtetuese. Presidenti pretendonte se ligji parashikonte një rradhë të insitucioneve për emërimin e antarëve të GJK-së.
Ndërkohë që nuk mendonte njëjtë Parlamenti dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, për të cilët rradha e emërimeve nuk ishte me rëndësi pasi gjykata ishte në vakancë të plotë.
Por duke vazhduar situata edhe me mospranimin e disa dekreteve të nxjerra nga presidenti me objekt kthimin për rishqyrtim të disa ligjeve, atëherë edhe ndarja mes palëve u bë e qartë dhe konflikti nuk ishte më vetëm juridik e kushtetues.
Presidenti ishte vënë tashmë në pikëpyetje kur mazhoranca e kërcënonte edhe me shkarkim. Ajo që duhet të bënte Meta ishte të vetëmbrohej, qoftë edhe duke dalë jashtë diskurit dhe artikulimit politik qe e kishte karakterizuar gjithmonë Ilir Metën.
Ashpërsia e tij në deklarata ishte mjaft e dukshme për të gjithë. Aq sa ditën e djeshme në një dalje të tij për media ai shprehej tekstualisht: “Do të bëj gjithçka për të mbrojtur kushtetutën”. E kur u pyet edhe për kërcënimin e mazhorancës se mund të shkarkonte presidentin ai deklaroi se do ta shkarkonte ai me popullin i pari parlamentin.
Është tashmë pak e vështirë duke parë edhe situatën e acaruar politike në vend, nëse këto deklarata të Presidentit të Republikës përbëjnë realisht rrezik për mazhorancën apo janë thjeshtë retorikë politike që vijnë si tentativë për t’u vetëmbrojtur.