I dërguari i BE për dialogun me Serbinë ndërron mendje për Pavarësinë e Kosovës: Vij me mendje të hapur, respektoj vendimin e GJND-së

Diplomati sllovak Miroslav Lajçak, i dërguar nga BE për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, duket se ka ndërruar mendim për Pavarësinë e Kosovës.
Në një intervistë për mediat kosovare, Lajçak ka thënë se nuk i qëndron më deklaratës së tij të vitit 2009 kur shprehej se Serbia nuk duhet të njohë Kosovën, ndërsa ka theksuar se tashmë respekton vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për Pavarësi.
“Kjo ishte para se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të merrte vendimin e saj. Dhe unë e respektoj vendimin, që thotë se nuk ishte shkelje e ligjeve ndërkombëtare, dhe kjo e ka ndryshuar situatën”, ka thënë Lajçak në Rubikon.
I dërguari i BE ka thënë se vendimi për Pavarësinë e Kosovës duhet të pranohet nga të gjithë vendet.
“Vij me mendje të hapur, s’kam agjendë të fshehur, dhe sjell përvojën time në mënyrë që të ndihmoj të zgjidhen problemet e pazgjidhura mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shtuar diplomati sllovak Miroslav Lajçak.