Tana fajet i ka Shkodra!

Nga Edona Llukaçaj

Si shumica e shqiptarëve kam qenë një ushtar i bindur i luftës me armikun e padukshëm, duke vënë në jetë me përpikmëri çdo masë të ndërmarrë nga autoritet. Me vetëdije kam pranuar detyrën e izolimit në shtëpi dhe minimalizimin e daljeve për ndonjë nevojë imediate, gjithnjë e pajisur me leje, maskë e doreza.

Me pak fjalë, kam zbatuar me rigorozitet pikat e ditancimit social, megjithëse biografinë në lidhje me udhëtimet në vendet e prekura e kam “pa njolla”.

E teksa kam ndjekur me vëmendje lajmet mbi përhapjen dhe zhvillimet e COVID-19, jam ngazëllyer se numri i të prekurve dhe viktimave në Shqipëri është krahasimisht më i ulët se ai në shumë vende të rajonit e botës.

Ndonëse jemi pambarimisht në javën e nxehtë, jam ndjerë disi mirë, se kam kontribuar sadopak në tkurrjen e gjëmës e se qeveria, në varësi të kushteve tona, ndërmori hapat e duhura.

Por ajo që hedh hije mbi këtë satisfaksion që nuk e kemi përjetuar shpesh në lidhje me të zgjedhurit tanë, është diskursi i tyre. Politikanët tanë janë, padyshim, të mirëinformuar rreth konceptit të Michel Foucault mbi pushtetin e gjuhës -fjalës dhe heshtjes- si krijuese e diskursit që strukturon shoqërinë dhe psikologjinë e saj. Por ata duken si në një garë të sinkronizuar fjalamanësh, ndërsa diskursi i tyre margjinalizon e anatemon fraksione të tëra të shoqërisë.

Dërgimi i 30 punonjësve të shendetësisë në Itali, një gjest veçse i lavdërueshëm, njëra palë gati-gati e krahasoi me dhurimin e dorës së fundit të miellit në magje. Qëndimi opozitar sikur shënjestroi vlerat tona. Ndërsa ideatori i këtij veprimi e përmendi aq shumë sa humanizmi duket se u bë pre e marketingut politik.

Por rasti më tipik i përdorimit të diskursit mrapsht është ai i qytetit kryeneç, Shkodrës. Në një kohë kur masat për distancim social atje shkeleshin masivisht e ndonjë vendalie “sypatrembur” që ulërinte padijen e vet u bë hibernetikisht virale, forca politike që pretendon se e përfaqëson Shkodrën eksluzivisht hodhi tezat se në spitalin rajonal mungonin mjetet e nevojshme në luftën me koronavirusin.

Deklarata e pamenduar dhe heshtja me të cilën u prit nga pushteti që ka përgjigje për gjithçka e këdo, dukshëm, duket se ushqyen pengun e vjetër të qytetit: harresën dhe mospërfilljen e dekadave. Ky qëndrim i hershëm, përmendja e Shkodrës veçse për ta bërë subjekt të problematikës por jo të zgjidhjes mund t’i ketë kujtuar shkodranëve, si shembull, se sa të gjatë e kanë rrugën investimet deri në qytetin e tyre, pavarësisht se çfarë ngjyre ka pushteti.

Heshtja e kësaj here mund t’i ketë përngjasuar asaj ndaj protestave jo të pakta kundër ndërtimit të dy HEC-eve të vogla mbi lumin Cem. HEC-e që, si është pohuar edhe nga vetë kryeministri, nuk kanë asnjëfarë dobie ekonomike, por që do të mjerojnë jo pak fshatra piktoreske.

Ose i ka rënë në mend se si përfaqësues të denjë të qytetit të tyre u zevëndësuan me klloun politike për llogari të kushedi kujt e atyre i takon të vuajnë pasojat. Mund t’i jetë kujtuar prilli i ’91-it, marsi i ‘97ës, se për të tilla raste Shkodra ka mjaft çfarë të kujtojë.

Si ai që bëhet më rebel ndaj dënimit të pamerituar, duket se kjo qasje e shtoi koficentin e mosbindjes në Shkodrën hatërmbetur. Biçikletat që shkonin andej nga ura e Bunës u shtuan. Madje edhe ideja e piknikut në breg të liqenit, si për inat të virusit a të vetes, u përqafua nga shumë në këto ditë pranvere.

E ashtu si çdo herë kur në diskurs togfjalëshi “qyteti më i madh verior” ka zëvendësuar emrin e lashtë si një paralajmërim i zymtë, përfundimi i një “trimërie” të pavend merret me mend: një numër mjaft i lartë të prekurish nga virusi që rritet po aq shpejt.

Sigurisht, edhe në Shkodër, si pothuajse në çdo rast infektimi të bërë publik në vend, burimi ishte një i/e ardhur nga Italia pa simptoma. Një sqarim që më shumë se dëshmon punën padyshim të mirë të mjekëve tanë, të bën të mendosh se të ardhurit nga jashtë janë tipa shëtitës që shkelin rregullat, ndërsa shqiptarët këtu janë gjenetikisht të pajisur me një mbrojtëse plus që nuk e transmeton virusin pasi e merr.

Po tashmë në lidhje me vatrën shkodrane kjo ka pak rëndësi; megjithëse urimi është tjetërsoj, qyteti po e paguan shtrenjtë shkeljen e vetëizolimit. Ndërsa në rast të ndonjë të papriture të pakëndshme në kurbën ogurzezë, kemi një qytet, një Wuhan vendas, që do i shërbejë mjaft mirë strategjisë së shahut a damës me parakalime tankesh në sfond për të mbajtur peshën e fajin.

Si ngahera!

*****

Botuar në DITA. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa citimin korrekt dhe të dukshëm të burimit

Back to top button
LAJMET E FUNDIT